Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, e ka dorëzuar të premten në Gjykatën Kushtetuese, ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili është miratuar në Kuvend ditë më parë, raporton InLajmi.
Tahiri ka thënë se beson plotësisht se në këtë ankesë që i’u është dorëzuar Gjykatës Kushtetuese nga PDK-ja do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e një ligji të tillë.
“Asnjëherë nuk kemi pasur një tendencë kaq të qartë të kapet një sistem të tërë prokurorial siç ka ndodhur me miratimin e fundit të ligjit nga mazhoranca e drejtuar nga Vetëvendosje. Ky ligj bie ndesh me 6 nene të Kushtetutës. Besojmë plotësisht që argumentimet që i ka sjellë PDK-ja, në draftin që e kemi dorëzuar në ankesën tonë, konsiderojmë që është një bazë e mjaftueshme për ta nxjerrë në kundërshtim me Kushtetutën një ligj të tillë”, ka thënë Tahiri.
Gjithashtu ai ka thënë se ky ligj, cenon rëndë pavarësinë e gjyqësorit në Republikën e Kosovës.
“Ajo që e degradon plotësisht KPK-në është prezenca e njerëzve të politikës. Ju e dini që tashmë ka ndryshuar edhe përbërja e Këshillit me ligj të ri, vendimmarrja është e varur direkt nga prezenca e njerëzve të politikës që dërgohen përmes Kuvendit. Tashmë ka degraduar komplet, tashmë edhe një zyrtar që i ka kryer nja 7-8 vjet pune si zyrtar mund të bëhet anëtar i KPK-së. Vendimmarrja e KPK-së është direkt e varur nga politika, pra KPK-ja me ligj të ri nuk mund të ketë as kuorum as vendimmarrje në zgjedhjen e drejtuesve të pozitave të larta, pa pjesëmarrjen e njerëzve të politikës që dërgon mazhoranca – Kuvendi”, ka deklaruar Tahiri. /InLajmi/