Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në seancën plenare të së ënjtjes për liberalizim e vizave për Kosovën, raporton InLajmi.
“Unë jam kryeministër i cili asnjëherë s’ka bërë premtim me afate për heqjen e vizave për Kosovën, as në fushat as në detyrë. Keni pasur shembuj në të kaluarën, 15 muaj, sivjet, vitin e ardhshëm.. mua nuk më keni dëgjuar sepse unë e dija se ajo punë nuk varej nga ne”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se si kryeministër nuk ka bërë asnjë premtim me afate për heqjen e vizave për Kosovën, as në fushat as në detyrë.
“Ka nganjëherë deklarata nga Brukseli që nuk janë as në linjë me vetë Brukselin, dhe ne përpiqemi që me durim e përkushtim t’i sqarojmë ata, por nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë se kaq”, tha Kurti.
Tutje Kurti tha se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e mundshme për liberalizim të vizave.
Kryeministri shtoi se sa i përket programit të NATO-s për Partneritet dhe Paqe ne kemi marrë pjesë në Defender Europe 21 vitin e kaluar me 330 ushtarë, kemi qenë në mesin e 16 vendeve mikpritëse, do të marrim pjesë edhe në Defender Europe 23.
“Në aspektin ndërkombëtar i plotësojmë të gjitha kërkesat dhe nevojat si kontribuues në sigurinë globale. Ajo çfarë bëjë unë për mbrojtjen e vendit dhe ushtrinë e Kosovës është se e rrisim buxhetin për 52%, mirëpo se kur do të na pranojnë, ku e si në masë të konsiderueshme e dini që nuk varet prej neve”, tha Kurti.
Kurti ka thënë se i kanë rregulluar imazhin Kosovës./InLajmi/