Lidhur me procesin e vetingut në drejtësi, Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, është takuar me Selim Selimin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përcjell InLajmi.
Në takimin e përbashkët me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Zëvendësministren Nita Shala, Kryeministri Kurti foli për hapat e mëtejmë lidhur me këtë proces dhe rëndësinë e koordinimit të përbashkët, pas opinionit të pranuar nga Komisioni i Venecias.
Me qëllim të përfshirjes së gjithë akterëve, Kryeministri Kurti u ka bërë ftesë krerëve të partive parlamentare të opozitës: Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës
Kryeministri të mërkurën është takuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi. Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë deklaruar se kontributin e tyre për këtë çështje do të japin në Kuvendin e Kosovës.
Takime të këtilla me qëllim të koordinimit të mëtejmë do të vazhdojnë edhe me partitë politike të komuniteteve të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Koncept Dokumentin për zhvillimin e procesit të Vetingut në Sistemin e Drejtësisë, si dhe ka përgatitur draftin e amendamenteve kushtetuese dhe projektligjin për vetingun në sistemin e drejtësisë. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi, respektimin e standardeve evropiane, si dhe të drejtat e njeriut, Ministria e Drejtësisë, kishte dërguar kërkesë në Komisionin e Venecias, me qëllim të dhënies së opinionit për Koncept Dokumentin për vetingun në sistemin e drejtësisë dhe draftin e amendamenteve kushtetuese. Më datë 17 qershor 2022, Komisioni i Venecias ka miratuar Opinionin për Vetingun. /InLajmi/