Bashkësia Islame e Kosovës, ka njoftuar se Grupi i 2-të i besimtarëve nga Kosova ende nuk janë nisur për në Haxh, përcjell InLajmi.
Kjo vonesë është bërë për shkak të një defekti që ka pësuar aeroplani me të cilin do të udhëtonin.
Sipas BIK-ut, besimtarët myslimanë ende gjenden në aeroportin “Adem Jashari”.
Njoftimi i plotë nga Bashkësia Islame e Kosovës:
Avioni i paraparë për t’i dërguar sot në orët e para të mëngjesit grupin e 2-të të besimtarëve tanë në haxh, megjithëqë ishte nisur me kohë drejt Prishtinës për t’i marrë besimtarët tanë, gjatë fluturimit ka pësuar defekt teknik, gjë që i ka pamundësuar arritjen në Prishtinë dhe si rezultat i këtij defekti besimtarët tanë ende janë në ambientet e aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë. Së bashku me besimtarët tanë, në aeroport janë edhe përgjegjësit e Haxhit nga Drejtoria e Haxhit, të cilët po e përcjellin situatën.
Drejtoria e Haxhit është në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë e kontraktuar “Jordan Aviation” që sa më parë të gjejë zgjidhje për nisjen e besimtarëve drejt destinacionit të tyre.
Kërkojmë ndjesë e mirëkuptim nga besimtarët tanë dhe opinioni i gjerë për këtë vonesë të shkaktuar për shkak të defektit në avion rrugës për në Prishtinë, me shpresë që sa më parë të mundësohet udhëtimi i tyre drejt Arabisë Saudite. /InLajmi/