Në qoftë se liberalizimi i vizave nuk ndodh në dhjetor, atëherë do të shtyhet për një periudhë të gjatë kohore, tha politologu, Arbnor Sadiku.
Ai tha se pothuajse të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë pro liberalizimit të vizave.
“Shumica e vendeve anëtare të BE-së janë pro liberalizimit të vizave. Unë jam i bindur që nëse do të ndodhë ky liberalizim, do të ndodhë brenda këtij viti në dhjetor. Mirëpo, në qoftë se nuk ndodh brenda këtij viti nuk do të ndodhë edhe për një periudhë të gjatë”, u shpreh Sadiku.
Ai po ashtu ka theksuar se Kosova nuk i ka shfrytëzuar momentumet e veta politike sa i përket çështjes se liberalizimit të vizave. Sadiku tha se një rast i lëshuar nga Kosova ka qenë edhe ai i demarkacionit me Malin e Zi.
“Ne duhet ta gjykojmë edhe vetveten pasi që në disa raste kemi lëshuar disa raste në të kaluarën siç ka qenë rasti i demarkacionit me Malin e Zi. Pra kur është kërkuar në atë kohë nga kryeministri Mustafa dhe kryesisht opozita kosovare e ka kundërshtuar që në atë kohë ka qenë Kurti shef i opozitës. Është kërkuar që të krijohet një konsensus për demarkacionin dhe si shkëmbim ndaj tij zotimi i kancelares Merkel dhe presidentit Macron, të jepet liberalizimi i vizave. Ne faktikisht e kemi humbur atë rast dhe përkundër kësaj e kemi kaluar me vonesë demarkacionin e kufirit e kemi ratifikuar në Kuvend dhe në njëfarë forme pas saj edhe s’kemi marrë liberalizim të vizave edhe i kemi humbur 8 mijë hektarë”, tha Sadiku.
Sipas tij, mosliberalizimi i vizave nuk po ndodh vetëm për faj të Bashkimit Evropian por edhe të vet Kosovës, shkruan Tëvë1.
“Në njëfarë forme nuk është kjo krejt tash që ne mund të bëhemi viktima, kjo nuk është vetëm për fajin e BE-së por edhe për fajin tonë e pse momentumet politike nuk i kemi shfrytëzuar atëherë kur kanë ardhur në orientimet politike për Ballkanin dhe Kosova e ka pas hisen e vet aty”, shtoi ai.