Janë bërë 10 ditë që kur përfaqësuesit e veteranëve u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për kërkesat e tyre.
Pas takimit ata thanë se nuk ishin pajtuar me asnjë nga pikat e shefit të ekzekutivit.
Ky i fundit do tu dërgonte veteranëve një propozim në formë të shkruar lidhur me kërkesat e tyre.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, thotë se qeveria ka finalizuar një propozim konkret dhe përmbajtjesor dhe brenda një kohë shumë të shkurtër do ta ndajmë me përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të luftës.
“Në takimin me përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të luftës që kryeministri Kurti ka mbajtur në zyrën e tij me 17 qershor është ritheksuar përkushtimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Organizatën e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim të përmirësimit të mirëqenies së veteranëve të UÇK-së. Në takim janë prezantuar edhe propozimet e Qeverisë në këtë drejtim, të cilat propozime u dorëzohen përfaqësueseve të këtyre organizatave edhe në formë të shkuar. Ne kemi finalizuar një propozim konkret dhe përmbajtjesor dhe brenda një kohë shumë të shkurtër do ta ndajmë me përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të luftës”, deklaron Kryeziu për Gazeta Blic.
Ndryshe, takimi i veteranëve me kryeministrin Kurti kishte ardhur një ditë pas protestës së veteranëve të organizuar para Kuvendit të Kosovës, për shkak të së cilës u ndërprit edhe seanca, derisa deputetët e PDK-së nuk kishin lejuar që ajo të mbahet, duke bllokuar foltoren e Kuvendit.