Ish-nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka folur për opozitarizmin e tashëm të këtij subjekti politik.
Ai theksoi se te PDK-ja po e vëren një lloj frike se mos po kopjojnë format e kaluara të të bërit opozitë.
“Po ashtu mendoj që opozitarizmi po e lun rolin e vet, i kanë 2 çështje që mendoj po përpiqen. E para me dhënë alternativa, e 2-ta mendoj se duhet dhënë ide të veprimit, kurse me alternativë të veprimit por idetë janë diçka pak më shumë. Gjithmonë kam menduar se njerëzit që janë në Qeveri duhet me punu, ata që janë në opozitë kanë kohë me mendu se nuk kanë shumë punë në kuptimin politik, duhet prodhuar më shumë ide. Nga pak po e shoh se po frikësohen rolit të opozitarizmit duke mos dashur ta imitojnë opozitën paraprake, mendoj që PDK është origjinale dhe duhet ta ruajë origjinalitetin e saj”, tha ai.
Tutje, teksa foli për PDK-në, Kuçi tha se nuk ka dalur nga kjo parti për t’u rikthyer më pas.
Madje, ai thotë se kontributin e tij në këtë parti mund ta japë edhe nëse nuk është aktiv në jetën politike, shkruan Tëvë1.
“Unë nuk kam dalë për me u rikthy edhe nuk kam pasë ambicie, të jem jo modest por nëse do të kandidoja, ndoshta edhe do të bëhesha kryetar. Por mendoj që ka qenë një moment kur kam menduar që duhet. Papa Benedikti i 2-të kur ka dhënë dorëheqje ka thënë: nganjëherë duhet me bë një hap prapa për me ecë përpara. Unë kam menduar që prej politike duhet ta bëj një hap prapa. Nuk po them që nuk është logjike a mund të jap kontribut për vendin. E kam një filozofi që e kam vënë në kokën time: njerëzit duhet punuar për Kosovën por mundesh pa qenë në politikë, njerëzit duhet me dhënë mendime politike pa qenë në parti politike dhe njerëzit që janë anëtarë munden me punu për PDK-në edhe pa qenë në Kryesi. Kontributi im nuk lidhet me funksione pozita por mbi të gjitha po them jo me atë logjikën partiake, partizan”, shtoi ai.