Prenk Jakova u lind më 27 qershor të vitit 1917 në familjen e patriotit të njohur shkodran, Kolë Dedë Jakova, i cili ka qenë ndër organizatorët e mbrojtjes së kufijve kombëtarë nga agresioni jugosllav në Luftën e Koplikut, në vitin 1920, shkruan InLajmi.
Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit.
Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.
Ndërkohë i vëllai i Prenkës që ishte në moshë të re, gjatë Luftës së Dytë Botërore, mori pjesë në lëvizjen e Ballit Kombëtar, dhe me ardhjen në pushtet të komunistëve u detyrua të merrte malet.
Ndërsa Prenka, që nuk kishte ushtruar kurrfarë veprimtarie veç detyrës së tij si mësues, lirohet shpejt nga burgu.
Prenk Jakova kishte dhe një vëlla tjetër Dedën, i cili ishte fotograf i respektuar në qytetin e Shkodrës. Edhe pse ka kaluar shumë kohë, kur kompozitori Prenk Jakova shkroi veprat e tij, ato vazhdojnë të admirohen, ndërsa autori i tyre konsiderohet në mënyrë të padyshimtë nga shtypi dhe kritika e artit, si kompozitori gjenial shqiptar.
Prenk Jakova ka qenë njëri ndër kompozitorët më të shquar dhe më të njohur të kohës së socializmit në Shqipëri. Ai ishte edhe themelues i gjinisë së operës kombëtare shqiptare, me 2 veprat e tij “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” dhe “Mrika”.
Kjo e fundit ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenk Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës./InLajmi/