Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se në Bruksel është parë se kur është në pyetje interesi gjeopolitik i BE-së, mund të merret statusi i kandidatit dhe se nuk është bërë asgjë në përgatitjen për anëtarësim.
I pyetur nëse është dakord me ministren Jadranka Joksimoviq që Serbia mund të jetë anëtare e BE-së për pesë deri në shtatë vjet, Vuçiq tha se ai është realist, por sipas tij, ministrja i njeh mirë marrëdhëniet në Union, raporton Tanjug.
“Kjo varet nga situata politike dhe gjeopolitike. Tashmë ishte e qartë se ju mund të merrni statusin e kandidatit nëse nuk bëni asgjë në aspektin e përgatitjes, kur kjo është në interesin gjeopolitik të BE-së dhe se ata që bënë shumë më tepër si Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina, nuk morën asgjë “ shpjegoi ai.
Vuçiq tha se nuk ishte aq optimist sa ministrja dhe se më së shumti mbështetej në forcat e veta, transmeton Klankosova.tv.
“Ne duhet të vazhdojmë rrugën tonë evropiane. Ne duhet të mbështetemi më së shumti në forcën tonë. Ne kemi treguar se me punën tonë, duke mbijetuar dhe qëndruar në rrugën evropiane, duke ruajtur miqësitë tradicionale, mund ta ndryshojmë vendin përtej njohjes”, tha ai.