Sadio Mane mbylli pas 7 viteve aventurën me Liverpool dhe tashmë është një lojtar i Bayern Munich, me bavarezët që paguan 35 milionë paund për ta transferuar në Allianz Arena.
Megjithatë, sipas ish-futbollistit të Manchester City apo West Ham United, Trevor Sinclair eksperienca e senegalezit tek The Reds mund të ishte edhe më e gjatë nëse klubi do ta vlerësonte 30-vjeçarin, ashtu siç bën me Van Dijk apo Salah. Sinclair thekson se Mane është një njeri me parime dhe se e ka kuptuar se angelzët nuk e vlerësonin maksimalisht.
“Mane është padyshim një legjendë e Liverpool dhe njerëzit vazhdojnë të bëjnë pyetje se pse ai u largua. Atëherë po jua them unë pse Mane vendosi të largohej, sipas këndvështrimit tim tre ishin arsyet që e shtynë sulmuesin të largohej nga Anglia. Së pari, në klub, Mane nuk është vlerësuar në asnjë moment aq sa Van Dijk apo Salah.
Së dyti, fakti që Liverpool lejoi që kontrata e tij të mbërrinte deri në vitin e fundit, do të thotë se nuk e kishin shumë problem nëse largohej, madje tregon se ishin të gatshëm ta shisnin, siç edhe ndodhi, shkruan Gazeta Metro.
Dhe, në fund, Klopp e humbi Manenë në momentin kur nënvlerësoi Kupën e Afrikës. Mane është një person me parime, ka ndërtuar shkolla, spitale dhe mendoj se diçka e tillë e shtyu atë të mendonte largimin”, tha ai.