Shkupi i ktheu shpinën propozimit francez. Ai është i papranueshëm për vendin, bëri të ditur kryeministri Dimitar Kovaçevski, pasi e njoftoi presidencën franceze për vijat e kuqe të Shkupit.
“Formulim i qartë për gjuhën maqedonase në kornizën negociuese dhe mbrojtje e qartë e identitetit maqedonas. Çështjet historike nuk mund të jenë kritere në kornizën negociuese. Negociatat mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së duhet të fillojnë para fillimit të procedurës për ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës. Garanci të fuqishme duhet të ketë nga BE dhe Bullgaria, që kjo e fundit nuk do të kushtëzojë me kërkesa të reja”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër i Maqedonisë së Veriut.
Kryeministri Kovaçevski vlerësoi se propozimi francez në formën siç është tani, është i papranueshëm për të si kryeministër, për presidentin e vendit si dhe për Maqedoninë e Veriut në tërësi.
“Bullgaria vendosi të kthehet në të kaluarën dhe të bllokojë procesin, gjë që nuk shpie askund. Ne si Maqedoni e Veriut kemi bërë shumë, tani radhën e ka Bashkimi Evropian”, tha Kovaçevski, shkruan DW.
Nëse gjatë presidencës franceze ka mirëkuptim për kërkesat e Maqedonisë së Veriut, vendi është i gatshëm të vazhdojë procesin u shpreh kryeministri Kovaçevski.