Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit së bashku me Institutin “EdGuard” kanë mbajtur diskutim publik për Projektligjin për Tekste Shkollore, i cili ka gjithsej 41 nene, raporton InLajmi.
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, theksoi se me këtë projektligj synohet të arrihet transparencë dhe llogaridhënie, në mënyrë që të kemi autor dhe recezent sa më të mirë.
“Ka kërkuar që t’i dërgojnë komentet pas përfundimit për dërgimit të projektligjit në Kuvend. Në fund drafti i ligjit që shkon në kuvend të jetë i mirë dhe i kompletuar. Me këtë projektligj synojmë të rrisim transparencën dhe llogaridhënien, të ngrisim kapacitetet e autorëve dhe recensentëve, pra të kemi autor dhe recezent sa më të mire”, tha Nagavci.
Nagavci tha gjithashtu se me këtë projektligj synohet të ketë edhe çmime më të arsyeshme të botimit të teskteve mësimore.
“Synojmë të kemi edhe çmime të arsyeshme të botimit të teksteve mësimore. Synojmë të themelojmë një sektor për tekste shkollore. Këshilli shtetëror për tekste shkollore do të ketë jo vetëm një kompetencë por synojmë të jetë shumë profesional, dhe kjo do të ndihmoj që tekstet të jenë në aspekt profesional të mira. Sa i përket recezentëve i kemi kushtuar një vëmendje të veçantë”.
Ministrja tha se ligji parasheh dhe digjitalizimin në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
“Kemi planifikuar edhe pilotimin e teksteve dhe rishikimin e vazhdueshëm për përmirësimin e cilësive. Ligji parasheh dhe mundëson edhe ligjin digjital të materialeve dhe teksteve shkollore. Një shtyllë e veçantë ka të bëjë me digjitalizimin në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Duke pas parasysh se është përkushtim i yni që ky projektligj të shkojë sa më shpejtë në Kuvend si drafti më i mirë dhe më i plotësuar, do të analizojmë çdo koment dhe rekomandim nga ana e palëve me interes, do të angazhohemi që çdo gjë që shkon në atë projektligj të zbatohet në praktikë”, tha në fund Nagavci. /InLajmi/