Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se ndihet i nderuar që do ta përfaqësojë Kuvendin e Kosovës në takimin inaugurues për “European Leadership Network”, që do të mbahet të enjten dhe të premten, përcjell InLajmi.
Hoti ka thënë se kjo është një mundësi shumë e mirë për të biseduar me parlamentarë nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga vendet e Ballkanit për zhvillimin e politikave.
Gjithashtu ai shtoi se Kosova e ka bërë një progres në drejtimin e ndërtimit të infrastrukturës së sigurisë sipas standardeve evropiane
Postimi i plotë i tij:
Jam i nderuar me ftesën që të përfaqësoj Kuvendin e Kosovës në takimin inaugurues të Programit për Ballkan të “European Leadership Netëork”, që mbahet në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar të enjten dhe të premten.
Kjo është një mundësi shumë e mirë për të diskutuar me parlamentarë nga Mbretëria e Bashkuar dhe nga vendet e Ballkanit për rolin e legjislativit në mbikëqyrjen dhe zhvillimin e politikave adekuate të sigurisë në kontekst të regjionit të Ballkanit për të ruajtur paqen afatgjate dhe për të ndërtuar struktura llogaridhënëse të sigurisë në përputhje me objektivin për integrim euroatlantik.
Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm në drejtim të ndërtimit të infrastrukturës së sigurisë, e zhvilluar plotësisht me mbështetjen e partnerëve tanë dhe sipas standardeve evropiane. /InLajmi/