Gjeneral Majori Bajram Begaj ka pranuar propozimin e Partisë Socialiste për të qenë presidenti i ri i Shqipërisë.
Ashtu sikurse lajmëroi, pasi njoftoi emrin e kandidatit për president, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, priti në një takim mbrëmjen e sotme me Bajram Begajn, i propozuar nga PS-ja për kreun e shtetit.
Takimi mes Ramës dhe Begajt u mbajt për pak minuta në Kryeministri.
“Faleminderit kryeministër. Është vlerësim të jesh president i një vendit do përpiqem të jem personi i duhur për atë që përfaqëson ky post. Do të jem në lartësinë e detyrës. Vij nga ushtria dhe mjekësia dhe detyrën nëse nesër do të votohem do ta kryej me nder. Nderi, detyra dhe Atdheu janë motoja e punës dhe besoj që do të jem 24/7 në shërbim të kësaj motoje”, tha Begaj në takim me kryeministrin.
Nga ana e tij Rama vlerësoi figurën e Begajt, duke e cilësuar si kandidaturën e duhur për këtë post.
“Ju jeni kandidatura e duhur për ta civilizuar zyrën e institucionit të presidentit të Republikës. Ju falënderoj që nuk shfaqët refuzim por pranim dhe do të japim votën që ju të zgjidheni presidenti i Republikës. Do të jeni në lartësinë e detyrës. Të gjithë që folën me respekt dhe bindje që ju do të mund të bëni gjënë e duhur në këtë detyrë dhe uroj që deri në fund të keni besnikërinë që ju karakterizon, për ligjin dhe atë forcë të madhe humanizmi që karakterizon FA. Këto cilësi janë të mjaftueshme. Ju do ta merrni shpejt përmasën e detyrës dhe do ta mishëroni atë simbolikë që është edhe ADN e vetë Forcave të Armatosura.”, u shpreh Rama