Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në kuadër të ‘Ditës së Evropës’ e ka kritikuar Bashkimin Evropian për mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, përcjell InLajmi.
Ai theksoi se 3 vlerat e Bashkimit Evropian që janë dinjiteti njerëzor, liria, barazia nuk po respektohen te qytetarët e Kosovës, meqenëse dinjiteti njerëzor i qytetarëve tanë është izoluar, liria u është mohuar drejt perëndimit dhe barazia me qytetarët evropianë.
Krasniqi tha se Kosova është shteti i vetëm i izoluar në Evropë, edhe pse i ka plotësuar të gjitha kushtet për lëvizje të lirë vite më parë.
Krasniqi tha se BE-ja po vonohet padrejtësisht karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Sipas tij, Bashkimi Evropian duhet t’i kthejë sytë nga Kosova, që populli pro-evropian të hapë dyert edhe për ne.
Postimi i plotë i tij:
Dinjiteti njerëzor, Liria dhe Barazia janë tri prej vlerave kryesore që qëndrojnë në themelet e Bashkimit Evropian si konstruksion politik, ekonomik e shoqëror. Sot, me 9 maj, Ditën e Evropës, ripërsëritim edhe një herë qëndrimin, synimin dhe vizionin e palëkundur të Kosovës për të përqafuar e përbrendësuar këto vlera.
Në të njëjtën kohë, sot, ashtu siç kemi kërkuar shumëherë viteve të fundit, kërkojmë nga Bashkimi Evropian që të respektoj posaçërisht këto tri vlera karshi qytetarëve të Kosovës: dinjitetin njerëzor të qytetarëve tanë të izoluar, lirinë e mohuar drejt perëndimit dhe barazinë me qytetarët evropian, e cila po vazhdon të na mungoj.
Kosova është sot shteti i vetëm i izoluar në Evropë, pa liri të lëvizjes, përkundër plotësimit të kushteve për lëvizje të lirë vite më parë. BE po vonohet, padrejtësisht, karshi Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Prandaj, çdo ditë, e posaçërisht sot, Bashkimi Evropian duhet të kthejë sytë edhe nga Kosova dhe kosovarët, populli më pro-evropian në Ballkan, dhe të hapë dyert për ne. /InLajmi/