Në Kosovë na pret mot kryesisht me diell, por edhe me vranësira të pakta lokale. Erërat jugperëndimore do të fuqizohen gradualisht, ndërsa temperaturat pritet të luhaten nga 4°C deri në 20°C.
Në Shqipëri dhe rajon nesër pritet mot me vranësira dhe intervale kohore të gjata me diell. Më shumë vranësira priten në veriun e Shqipërisë, me gjasa për ndonjë rigë të dobët shiu.
Të shtunën edhe më ngrohtë, me fuqizim të mëtutjeshëm të erërave jugperëndimore. Gjatë natës shtim i vranësirave dhe reshje lokale shiu. Gjatë mëngjesit të së dieles pritet depërtimi i frontit të fuqishëm të ftohtë ajror me reshje reshje shiu dhe erëra të fuqishme nga veriu. Në viset malore reshje bore. Mund të ketë fjolla kalimtare bore edhe në disa vise pak më të ulëta. Gjatë ditës të dielen më Kosovë reshjet pushojnë dhe vazhdojnë riga të izoluara dhe fjolla bore. Në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore reshjet vazhdojnë në formë të rrebesheve, vende-vende intensive, shkruan Meteo Ballkan.
Nga e hëna stabilizim gradual i motit. Mëngjeset në disa vise mund të jenë me ngrica të dobëta, ndërsa temperaturat ditore rriten çdo ditë e më shumë.