Moska është duke analizuar masa për t’ua kufizuar hyrjen në Rusi, banorëve të shteteve “jomiqësore”, ka thënë të hënën ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
“Është duke u krijuar një dekret presidencial për masat hakmarrëse për vizat, si përgjigje ndaj veprimeve jomiqësore për një numër të shteteve të huaja”, ka thënë Lavrov në një transmetim televiziv.
Lavrovi thuhet të ketë thënë se masat “do të jenë përgjigje ndaj veprimeve jomiqësore nga Shtetet e Bashkuara dhe satelitët e tyre”, duke përfshirë “sanksionet jolegjitime” dhe “vendimet që cenojnë të drejtat e qytetarëve rusë dhe subjekteve ligjore”.
Aty nuk janë dhënë hollësi se për cilat shtete do të aplikohen masat, mirëpo Qeveria ruse ka miratuar në të kaluarën një listë të shteteve dhe territoreve që konsideron se kanë kryer “veprime armiqësore kundër Rusisë, kompanive të saj dhe qytetarëve”.
Në listë përfshihen: Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, shtetet e Bashkimit Evropian, Mbretëria e Bashkuar, Ukraina, Zvicra, Norvegjia, Japonia, Koreja Jugore, Australia, Zelanda e Re, Singapori dhe vende tjera.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, shkruan Agjencia shtetërore e lajmeve në Rusi, TASS.
Ai ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën, transmeton REL.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në shumë vende të botës.