Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar Emirin e shtetit të Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani gjatë vizitës zyrtare në Doha, përcjell InLajmi.
Presidentja Osmani falënderoi Emirin për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të 2 vendeve dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar bashkëpunimin diplomatik, ekonomik dhe tregtar. Veç kësaj, presidentja e informoi Emirin për progresin e gjithmbarshëm në Kosovë, duke përfshirë sektorët e bujqësisë, turizmit dhe infrastrukturës si fusha potenciale për investim nga Shteti i Katarit.
Tutje Osmani përmendi ndihmën e popullit dhe shtetit të Katarit ndaj Kosovës përgjatë ditëve më të errëta për popullin tonë si dhe pas shpalljes së pavarësisë.
“Populli i Kosovës nuk do ta harrojë asnjëherë zemërgjerësinë e shtetit të Katarit në momente të vështira e deri më sot. Ne mbesim të përkushtuar që të thellojmë raportet ndërshtetërore” ka thënë ndër tjera presidentja.
Ndryshe Osmani po qëndron në Doha të Katarit për të marrë pjesë në edicionin e 20-të të Forumit të Dohas i cili ka mbledhur liderë botëror, politikbërës, studiues dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar hapat përpara pas zhvillimeve të shkaktuara nga pandemia në të gjitha aspektet e jetës dhe zhvillimeve të fundit gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë. /InLajmi/