Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe me 3 prill në vendin tonë, shkruan InLajmi.
E kjo ka shkaktuar pakënaqësi tek serbët që jetojnë në Kosovë të cilët kanë deklaruar se pasnesër do të protestojnë.
Lidhur me këtë kryeministri i vendit, Albin Kurti ka sugjeruar që nëse kanë ndonjë pakënaqësi secili qytetarë i Kosovës mund t’i adresojnë problemet e tyre tek institucionet e shtetit apo edhe të shkojnë në zyrën e tij por jo të protestojnë.
Por, a pritet të ketë tensione këto ditë në Kosovë nga serbët që jetojnë këtu si rezultat i mos lejimit të mbajtjes së zgjedhjeve serbe, njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani për Gazetën InLajmi tha se duhet të gjendet një zgjidhje praktike.
“Kjo çështje nuk duhet të tensionohet por të gjendet një zgjidhje praktike. Unë them se do duhej të bëhej një marrëveshje Kosovë-Serbi ku OSBE do të autorizohej të kryejë punën teknike. Pra një mbështetje teknike nga OSBE”, tha Burjani.
Krejt problemet sipas Burjanit vinë pasi që Serbia ende pretendon se Kosova nuk është e pavarur.
“Kosova nuk ka përgjegjësi për këto zgjedhje sepse nuk janë të Kosovës”, tha ai. /InLajmi/