Organizata Botërore e Shëndetësisë – OBSH, përmes një njoftimi ka konfirmuar disa sulme në qendrat e kujdesit shëndetësor në Ukrainë.
Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka bërë të ditur se këto sulme kanë shkaktuar vdekje dhe lëndime të shumta.
“Raportet shtesë janë duke u hetuar”, ka shkruar Tedros në Twitter, por se nuk e ka përmendur Rusinë.
Tutje, ai ka thënë se sulmet ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor janë shkelje e Ligjit Ndërkombëtar Humanitar.
“Sulmet ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor ose punëtorëve shkelin neutralitetin mjekësor dhe janë shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar”, ka shkruar ai.
Deri më tani, OBSH-ja ka konfirmuar gjashtë sulme në objektet e kujdesit shëndetësor, transmeton lajmi.net.
Kreu i zyrës së OBSH-së në Ukrainë, Jarno Habicht, ka konfirmuar për BBC se sulmet janë kryer në spitale ose ambulance, ndërsa pritet që së shpejti të publikohen edhe detajet e plota.