Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se kur SHBA-ja lejoi ripërcaktimin e kufijve Kosovë-Serbi si zgjidhje përfundimtare e konfliktit shqiptaro-serb, të gjithë dolën kundër, përcjell InLajmi.
Sipas tij, ky projekt u kundërshtua nga shumë politikanë, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile si rrjedhojë e shkurtpamësisë së tyre në raport me zhvillimet gjeopolitike në botë.
Kryetari i Lëvizjes për Bashkim tha se tashmë kur Rusia po ndërmerr veprime konkrete në realizimin e interesave të veta me agresionin ndaj Ukrainës, por edhe me mundësinë e destabilizimit të Ballkanit e rrjedhimisht edhe Kosovës ka shkaktuar alarmim për një të ardhme të pasigurtë.
Murati si shkaktar për moszgjidhjen e problemeve të Kosovës me Serbinë i cilëson politikanët, të cilët i quan “meskin”, analistët e gazetarët, të cilët sipas tij janë shkurtpamës dhe që shkojnë pas interesave ditore.
“Sa pak burrështetas e intelektual vizionar kemi”, shkruan ai.
Murati thotë se falë tyre tani vazhdojmë të jemi në “status qou” dhe kjo vazhdon të mbetet mbetet peng i situatave jashtë kontrollit tonë.
Postimi i plotë i tij:
Kur në vitin 2018 u lejua nga amerikanët që të diskutohej për ripërcaktimin e kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë si zgjidhja përfundimtare e konfliktit shqiptaro-serb dhe rrjedhimisht në mes të Kosovës dhe Serbisë, u kundërshtua ky projekt, nga shumica e garniturës politike dhe e një pjese të mirë të analistëve, gazetarëve dhe përfaqësueseve të shoqërisë civile me një shkurtëpamësi të paparë në raport me zhvillimet gjeopolitike që ndodhnin në botë: një Rusi çdoherë e më agresive në rivendosjen e interesave të saj gjeostrategjikë dhe një Kinë në ngritje të vazhdueshme ekonomike, ushtarake dhe rrjedhimisht politike. Tash kur Rusia po ndërmerr veprime konkrete në realizimin e interesave të veta, në atë që ajo e quan ‘near abroad’ (rusisht – blizhnee zarubezhe, përkatësisht vendet e ish-BRSS-së) me agresionin ndaj Ukrainës, por edhe me mundësitë e destabilizimit të Ballkanit dhe rrjedhimisht edhe të Kosovës, sidomos në veri të vendit, të njëjtit janë të alarmuar nga e ardhmja e pasigurt. Me shkurtpamësinë e tyre fatkeqësisht ndikuan që zgjidhja e problemeve me Serbinë jo vetëm të prolongohet, e ne të vazhdojmë të jetojmë në status quo, por që kjo zgjidhje të mbetet peng i situatave që janë jashtë kontrollit tonë. Çfarë të thotë njeriu tjetër pos politikanë meskin, e analistë, gazetarë e akvitistë të shoqërisë civile që i shkojnë pas interesave ditore. Sa pak burrështetas e intelektual vizionar kemi! /InLajmi/