Shkruan Osman Goranci
Meqë Drama është gjuhë e folur, ku vlerat e personazhit shpalosën nëpërmjet dialogut dhe karakterit, që në vitin 1960, shkruan dramën “Martesa”, (e botuar në vitin 2011), poeti, dramaturgu dhe shkrimtari tashmë i njohur Xhemil Bytyçi, pos sukseseve të arritura, me dhjetra libra me poezi, veçmas me poezi lirike e tipit japonez Tanka dhe Haiku, lexuesit dhe skenave tona teatrore, deri më sot ua ka ofruar edhe 9 drama dhe një monodramë.
Drama “Martesa me Facebook”, që doli nga shtypi muaj më parë, nga autori Bytyçi, është dramë kryesisht sociale-familjare, me personazhet që i hasim kudo në përditshmërinë tonë. Ngjarja zhvillohet në ditët e sotme. Kurse vetë titulli i dramës padyshim se na orienton në simbolikën e dixhitalizimit të jetës, ku interneti, përkatësisht Facebooku, janë bërë pjesë e pandashme e shoqërimit, i lidhjeve dhe i miqësive të reja virtuale në përditshmërinë e pjesës dërmuese të njerëzve në gjithë globin. Ndaj që në fillim, mund të themi se autori na ofron një tekst tejet dramatik të përmasave universale, me disa tabllo ngjarjesh të nxjerra nga metafora, duke e zbërthyer lakuriqësinë e gjitha veprimeve devijante në një martesë të lidhur nëpërmjet shoqërimit virtual.
Kështu, duke i thyer tabutë e kohës së sotme, autori Xhemil Bytyçi, këtë vepër ua dedikon të gjitha femrave që krijojnë lidhje apo imazhe dashurie të përzgjedhur nga kontaktet virtuale dhe jo të imponuar nga familja, por që shpesh herë femra serviret si një aksesor i mashkullit.
Suzana në këtë dramë, tipizon femrën e shkolluar, por të vetmuar nga frika se po u ikin vitet, e cila edhe e kishte vetëm një ëndër; të punësohet diku dhe që materialisht ta ndihmoj familjen. Ajo ka të kryer fakultetin ekonomik, mirëpo sikundër shumë të rinjë e të reja, të shkolluar, në shoqërinë e sotme kosovare, e cila që nga viti 1999, po ecën ngadalë nëpër binaret e tranzicionit, shpresën e vetme për punësim dhe për një jetë më të mirë, e kërkon tek njohja me ndonjë djalë, i cili jeton dhe punon në Perëndim.
Në tekstin dramatik “Martesa me facebook” shfaqën dy personazhe Suzana dhe Ylberi, antoganist të fuqishëm ndaj njëri tjetrit, të cilët disa muaj para martesës gjithë kohën e kalojnë para kompjutorit. Në fillim të njohjes të Suzanës me Ylberin, Facebooku merr kuptime simbolike dhe shumë jetësore. Ylberi mundohet të krijojë një atmosferë sa më romantike duke u munduar të paraqitet para Suzanës sensual dhe joshës, i pasur dhe pronar i një kompanie të madhe në Zvicër, i cili ka një apartmanet në Kosovë. Mes dëshirës për t’u punësuar dhe mes ëndrrës për t’i mbajtur lart vlerat njerëzore, Suzana duke e ndjekur ëndrrën e saj, i beson dhe pranon që të martohet me të.
Dhe, pas dasmës së madhe që bëjnë në Kosovë, këta dy shkojnë të jetojnë në Zvicër, ku pas pak muajsh edhe nis drama e kuptimit të të vërtetave, shfrenimeve, intrigave, distancimeve, gënjeshtrave, të raporteve mes gruas dhe burrit. Suzana e kupton se Ylberi, nuk është i pasur dhe pronar Companie. Ai thjeshtë ishte një mashtrues i cili edhe kishte vjedhur para nga Compania ku punonte. Poashtu, ajo e kupton se më herët ai kishte qenë i martuar me një grua Zvicrane dhe kishte një vajzë. Kështu për disa muaj të qëndrimit në Zvicër, ata nisin të zbrazin të vërtetat e pathëna të martesës, duke shprehur zhgënjimet e pësuara, tradhëtitë, xhelozitë, pakënaqësitë e dëshirat e tyre në një përpjekje për të gjetur fajtorin.
Për ta mbajtur martesën e tyre, Suzana dhe Ylberi, bëjnë një kompromis, vendosin të kthehen në Kosovë, ku mendojnë të fillojnë një jetë të re, më të mirë. Me sa duket kompromisi ishte edhe arma e fundit e një dashurie të mbaruar, ngase përgjatë këtij rrugëtimi prej disa muajsh, martesa e tyre ndeshet në situata konfliktuoze, dyshimi, tradhëtie e të mugesës të parasë.
Shumë herë Suzana provon të gjejë qasjen e duhur për t’i kapërcyer situatat konfliktuoze në martesë, por e ka të pamundër të bëj një gjë të tillë. Kurse kulmi i konfliktit arrinë kur Ylberi e nxitë atë të kërkojë pjesë të pasurisë nga familja e saj, ku edhe krijohet një atmosferë bukur tensionuese, mes tyre dhe prindërve të Suzanës.
E leçitur nga familja e saj, shpesh herë e fyer, e poshtëruar dhe e kërcënuar nga burri, e që kulmon edhe me dhunë në familje, Suzana detyrohet të kërkoj ndihmë nga policia, e më vonë edhe nga Gjyqësori, për divorc nga Ylberi, i cili për të vjedhjet e mëhershme në Zvicër, prangoset nga policia e Eulex-it.
Drama e autorit Bytyçi, ku vërehet një tipizim i thurrur mirë i karaktereve si dhe struktura e qëlluar katër aktshe me nga 3-4 pamje, brenda vetes ngërthen edhe shumë tema të tjera; luftën për të qenë vetvetja, nënshtrimin e gruas ndaj tekeve të burrit, zbrazëtinë shpirtërore dhe krejt në fund zbulimin e një të vërtete të tmerrshme ku përcillet mesazhi i një fataliteti të mundshëm femëror. Pikërisht si shkak i kësaj të vërtete, për problemin e ekzistencës së saj, e gjendur në një udhëkryq, Suzana bëhet e vetëdijshme vetëm në fund të dramës, kur nis të punojë si prostitute.
Mesazhi i dramës – “Kur disa miq virtual bien në dashuri, pa e njohur mirë njëri-tjetrin, ata e shkatërrojnë lirinë e njëri-tjetrit, krijojnë varësi, krijojnë burg”!… Ose si shkruan Friedrich Nietzsche; “Nuk është mungesa e dashurisë, por mungesa e miqësisë, që i bënë martesat të palumtura!” /InLajmi/