Sabit Zeneli
Shkrim përkitazi me dramën “Katër epoletat” të Haqif Mulliqit, në regji të vetë autorit. Asistent regjisore, Penesta Mulliqi. Aktorët: Ismet Azemi, Basri Lushtaku dhe Adem Zhitopotoku. Muzika: Haki Mulliqi. Dritat: Murat Kajtazi. Skena e Teatrit të Qytetit “Muharrem Qena”, Mitrovicë.
Gjeneralët që e bëjnë absurde botën e vetë
Drama “Katër epoletat” e Haqif Mulliqit, e inskenuar së voni në skenën e Teatrit të Qytetit të Mitrovicës, Muharrem Qena”, nga vetë autori, me aktorët Ismet Azemi, Basri Lushtaku dhe Adem Zhitopotoku, realisht, si zhanër, mund të konsiderohet një lloj i fiksionin absurdist, krijimin e së cilës e ka cytur një lloj zhgënjimi i autorit me atë që po ndodhte në Jugosllavi, pas vdekjes së diktatorit Tito e në veçanti me pozitën e shqiptarëve të cilët, siç duket, të parët në atë vend i ndien erërat e luftës dhe të shkatërrimit të pashmangshëm që po vinte për atë shtet. Ky fiksion absurdit i Mulliqit në këtë dramë, sikur mbështet në përvojat e vetë autorit dhe të njerëzve që i njihte ai, e të cilët kishin çaste shumë të hidhura me shtetin në të cilin po jetonin, pa vullnetin e tyre. Është fjala për ato situata në të cilën ndodhën personazhet e dramës, e të cilët, sipas Mulliqit, janë armiqtë më të mëdhenj të njerëzve të tjerë dhe të vetes së tyre, kur, për ta krijohet një rrethanë absurde, ngase, pas një kataklizmi, me të ndodhur, vetë ata, paçka se ishin “njerëz” të fortë, më nuk mund ta gjejnë asnjëlloj qëllimi të natyrshëm të jetës së tyre. Të këtillë janë edhe Alfadori dhe Betadori në dramën “Katër epoletat”, dy gjeneralët të cilët duke e luftuar botën rreth tyre, faktikisht e bënë absurde jetesën, e madje të pamundur edhe vetë jetën e vetë. Kjo më së shpeshti zhvillohet përmes veprimeve dhe ngjarjeve të pakuptimta që vënë në pikëpyetje sigurinë e koncepteve ekzistenciale si të vërteta dhe vlera.
Kështu, H. Mulliqi, në dramën dhe shfaqjen e tij përdor në varg elementesh, ndonjëherë të zakonshme, të trillimeve absurdiste përfshijnë këtu, groteskun, satirën, humorin e zi, mospërputhjen, poshtërimin e arsyes dhe polemika mbi kushtin filozofik të të qenit “asgjë” e që, në fakt është një referencë identiteti në dramaturgjinë dhe teatrin e tij. Mendojmë se këta janë elementët më të rëndësishëm të kësaj drame të Mulliqit në të cili, fiksioni absurdit ndërtohet në formën e vetë teatrit të absurdit:
ALFADORI: The gjë?
BETADORI: Hiç… The gjë?
ALFADORI: Hiç!
(Pauzë.)
BETADORI: Vend i mallkuar…
ALFADORI: … Ose ne të mallkuar! (Pauzë.)
BETADORI: Sillemi përsillemi e askund!
ALFADORI: Metafizike.
BETADORI: … Ndoshta.
Kështu fillon, që në krye të saj, drama e Mulliqit në të cilën, zhanri karakterizohen nga një fokus në përvojën e personazheve, të përqendruar në idenë se jeta është e paqëndrueshme, e papajtueshme dhe e pakuptimtë .
Një tipar integral i trillimit absurd, në “Katër epoletat” e Haqif Mulliqit, përfshin atë që njihet edhe si një zgjatim i lëvizjes së ekzistencializmit që fokusohet në pakuptimësinë e jetës dhe antagonizmit të saj. Karakteristika integrale e fiksionit absurdist te vepra e Mulliqit, faktikisht, e inkorporon brenda saj luftën apo më saktë, luftërat, për gjetjen e qëllimit të brendshëm në jetë, e cila në shfaqjen e Teatrit të Mitrovicës, na shfaqet përmes personazheve të dramës (Gjeneralit Alfador /të Basri Lushtakut/, Gjeneralit Betador /të Ismet Azemit/ dhe Grajetit /të Adem Zhitopotokut/) të cilat, në aparencën e tyre (dy të parët), përmes të veprimeve dhe riciklimit nëpër ngjarje të kota dhe të pashpresa ku marrin pjesë, dëshmojnë filozofinë e kotësisë së luftës për pushtim dhe shkatërrimet që bëhen gjithandej në emër të kauzave të rrejshme.
“Katër epoletat” e Mulliqit, mendojmë se është një lloj zgjatimi i koncepteve të ekzistencializmit një lëvizje e që fokusohet në marrëzinë e njerëzimit dhe veçanërisht në ankthin emocional dhe ankthin e pranishëm kur ekzistimi i qëllimit është i diskutueshëm.
Për çfarë, në fakt bënë fjalë drama e Haqif Mulliqit
Drama “Katër epoletat” flet për fundin e dy gjeneralëve të ushtrive në armiqësi: Alfador dhe Betador dhe rrugëtimin e tyre nëpër ferret e luftës, të cilat i shkaktuan vetë për “t’ia mihur varrin vetvetes”. Kjo përmbajtje e tërheq vëmendjen e shikuesit. Vetë jeta dhe karriera e këtyre dy ushtarakëve të lartë, mendojmë se është një provokim interesant për inskenimin e kësaj dramë e cila, tashmë është vënë në skenë, para publikut, më shumë se dhjetë herë. Njerëzit, në përgjithësi, janë të prirë të harrojnë, paçka se, disa ngjarje prej atyre që kishin të trishton brenda vetes nuk e meritojnë këtë gjë. “Katër epoletat” flasin për këtë gjë.
E shkruar si një dramë në frymën e ekzistencializmit, që në vitin 1981, por, gjithsesi futuriste, kjo dramë flet për të kaluarën tonë, fatin tonë, në kontekstin e ngjarjeve që e shpërbënë ish-Jugosllavinë, e të cilat, thjeshtësisht përpiqen ta sqarojnë linjën tonë orientuese në vepër. Viteve të tetëdhjeta, sidomos, kur në Kosovë ndodhën ngjarje të rënda për shqiptarët, atëherë, për herë të parë nisi të hapet edhe “Kutia e Padorës” e bashkëjetesës së kombeve në një shtet të gënjeshtërt dhe diktatoriale. Derisa ngjarje që kishte të bënte me shqiptarët ndodhë në sfond të problemeve të mëdha të kombeve që e kishin themeluar shtetin që nuk është më, konflikti ndërmjet tyre bëhet gjithmonë e më prezent dhe më i ashpër. Këtë gjë, përmes dy gjeneralëve, që janë bartës të veprimit, siç u tha: Alfadorit dhe Betadorit, paralajmërohet një konflikt i madh ndërmjet koncepteve të kundërta, të dy kombeve shtetformuese, e që janë dy mendësi që nuk mund të pajtohen ndërmjet veti. Përkundrazi, ato përjashtohen.
Që të dy këta, pra, Gjenerali Alfador dhe ai Betador, të mbetur nën katakombe, të rrënojave që i kanë shkaktuar vetë, vendosen përballë njeri-tjetrit, me gjithë dufin e urrejtjes, dhe, për ironi, janë të detyruar që ta kërkojë rrugën e shpëtimit, për në Qytetin e pa ngjyrë, i cili ishte kryeqendër e tyre dikur, duke mos mundur të bashkëjetojnë as me njëri-tjetrin e as pa njëri-tjetrin.
Drama “Katër epoletat” mund të analizohet edhe si një lexim dhe si një vështrim, ndaj ngjarjeve që në vitet e nëntëdhjeta e tronditën globin, paçka se drama është e shkruar në vitin 1981, si refleksion ndaj ngjarjeve të Kosovës të po atij viti, dhe reagimit brutal të shtetit, që, në esencë, ndërmori masa të dhunshme: raciste dhe naziste kundër shqiptarëve.
Në kontekstin e kohës kur është shkruar drama, mund të thuhet se në të, konsiston fryma e futurizmit, meqë konflikti i atyre që, në atë vit ishin bashkuar kundër shqiptarëve, do t’u kthehet në bumerang në një luftë shfarosëse të ndërmjetvetëshme
Në këtë dramë vihet re tendencën për gjetje të një filli të ri, por të parealizueshëm, objektivisht. Ky momentum sjell në një rrethanë që të shqyrtohet edhe forma e dramës duke i shmangur narracionet estetizuese në të, dhe duke punuar, me qëllimin parësor në një dramë të drejtpërdrejtë. Kjo na ka cytur të mendojmë mbi atë se cila është ajo që e definon një njeri dhe veprën e tij.
Në zbulimin si dhe në përshkrimin e personaliteteve të Gjeneralit Alfador si dhe të atij Betador, ne e kemi inkorporuar një mënyrë të drejtpërdrejtë mënyrat e filozofisë kundër luftës. Gjenerali Alfador dhe Gjenerali Betador, janë dy figura të paqëndrueshme, të pabesa dhe shantazhuese, të cilët, e dëshmojnë se ky lloj i gjeneralëve, forcën e vetë e shumëfishon, kur janë në krye të armatave e jo si individ. Si individë, këta janë zemër lepur. Bjerrakohës dhe bythaxhinjë.
Këta e kërkojnë rrugën e shpëtimit, të frikësuar nga vdekja e pritshme, dhe, në fund, e kuptojnë se nuk mund të bëjnë asgjë pa njëri-tjetrin e as kundër njëri-tjetrit, ndërsa e kuptojnë shumë vonë ë se, në fakt, i verbri që i viziton, kohë pas kohe, Grajeti, qoftë mbi dhe apo nën skenë, në fakt është vdekja e tyre, ajo që ka arritur te ta.
Vdekja, pra, këtu vjen, nën vellon e Grajetit, që lë përshtypjen e një figure mitologjike të Grajeve, pra atyre tri grave të cilat e kanë vetëm një sy, me ç’rast, kur njëra prej tyre mund të shikojë, dy të tjerat janë të verbra. Sipas rrëfimeve mitologjike, ato ua mësuan rrugën grekëve që të futen dhe ta shkatërrojnë Trojën.
Edhe te “Katër epoletat” Grajeti është i vetëm dhe i verbër, por e kupton se, Alfadori dhe Betadori nuk e meritojnë të dalin nga katakombet, por duhet të përfundojnë nën gërmadhat që i kanë shkaktuar vetë.
Dhe, fundi është i këtillë, ndërkohë që, në pluhurin e asaj humbëtire, rilindin Adami dhe Eva, si zanafillë e një bote tjetër dhe më të mirë.
Nevoja e personazheve për t’u fshehur si pasojë frikës nga autoriteti, pushteti, ndryshimi
Krahasuar me variantet që i kemi parë më herët: të Orhan Kerkezit (Teatri ‘Dodona”, të Holger Zibler (Teatri i Gjakovës), si dhe Milto Kutali (Teatri Atelier 31, Tiranë), shfaqja e Mulliqit, që nga fillimi e konsumon groteskun për të avancuar lojën e aktorëve të tij, brilant.
E shkruar, siç u tha mësipër, këtu e katërdhjetë vjet më parë, në skenën e Teatrit e Teatrit të Qytetit të Mitrovicës, “Muharrem Qena”, Haqif Mulliqi, si regjisor i shfaqjes, nuk i fsheh qëllimet e tij që t’i përforcojë kuptimet e errëta të dramës së tij, duke e ndërtuar një marrëdhënie sa të ashpër aq edhe groteske midis kundërshtarëve të zjarrtë, që, në kontekstin e Mulliqi janë dy gjeneralë të armiqësuar.
Lëvizjet skenike në këtë shfaqje shtrihen nëpër një skenë të errësuar, apo më saktë, simbolikisht në ndriçuar vrugët: gjysmë të errësuar, të stilizuar me disa pako boshe, që e simbolizojnë botën e personazheve dhe që e paraqesin atë botë të zbrazët në një kaos i cili, tashmë, mbretëron aty. Në mishërimin e pasqyrimit të një “realiteti” kaq të çuditshëm, regjisori i shfaqjes e krijon një mjedis veçanërisht sugjestionues të njerëzve e që vjen si një jehonë. Aktorët e Mulliqit, Ismet Azemi si Gjenerali Betador dhe Basri Lushtaku si Gjenerali Alfador (që të dy korife të Teatrit Kombëtar të Kosovës), interpretojnë jashtëzakonisht mprehtë, saktë, me plastikë të jashtëzakonshme, duke ndërtuar një vargan efektesh makthi në skenë, me përplot kthesa dramatike që e dinamizojnë shfaqjen. Këta e krijojnë përshtypjen e forcës së tyre, e cila, realisht më nuk ekziston, e mbi të gjitha mungesën e individualizmit të cilin, nëse e kishin dikur, tashmë e kanë të humbur. Në disa raste, këta aktorë të jashtëzakonshëm, ia dalin që t’i ndërtojnë një duzinë skenash vërtetë mbresëlënëse, madje me nuanca të theksuara ekspresioniste. Për shembull, në skenat ku kanë futur krahët e zgjatur dhe ku bëhen se po fluturojnë; në skenat e vrapimit, në skenat e frikës dhe të zhgënjimit; te skena ku imitojnë peshqit; skenat kur vrapojnë, pandalshëm nëpër skenë, etj. Ismet Azemi dhe Basri Lushtaku (përfshirë këtu edhe lojën e Adem Zhitopotokut) bëjnë lojëra skenike, të cilat, realisht e përcaktojnë fatin e personazheve që kanë mishëruar (Në fund të fundit, H. Mulliqi, që nga fillet e tija si regjisor, shfaqjet e tij i koncepton si lojëra skenike – shih: ‘Një përkujtim në kafe-teatër’, ‘The Kosowars, – ‘Kaos atdhedashurie në Paris’, ‘Komedia’, etj.) Kështu, edhe te “Katër epoletat”, Alfadori, Betadori dhe Grajeti, shndërrohen në karaktere që kanë brenda vetes një pasqyrim simbolikisht efektiv dhe vizualisht të fortë. Me këtë regjisori Mulliqi krijon në mori skenash të stilizuar si një shprehje të nevojës për t’u fshehur dhe ikjes së personazheve në skenë, ai pasojë e frikës së rrënjosur thellë nga realiteti, nga ngjarjet që kanë ndodhur si dhe nga ato që pritet të ndodhin. Ne këto mund t’i kujtojmë si skena të stilizuar të shfaqjes së Mulliqit, por edhe si një shprehje të nevojës së personazheve të tij, për t’u fshehur si pasojë e një frike të rrënjosur thellë nga autoriteti, pushteti, ndryshimi.
Ismet Azemi e luan me shumë energji rolin e Gjeneralit Betador: një utopist dhe adhurues i natyrës donkishoteske, i cili është katalizator i groteskut në shfaqje. Mund të thuhet se, ky kreacion i I. Azemit është një prej krijimeve më të mira të tij (dhe jo vetëm) në disa vjetët e fundit. Basri Lushtaku, me mjeshtëri teatrale e formëson personazhin e Gjeneralit Alfador. Sikurse te I. Azemi, edhe B. Lushtaku, shquhet me nj diksion brilant ne ngjyrim të rrallë zëri. Për aktorë të këtij formati, të merr malli kur të shkosh në teatër. Basriun nuk e kemi parë, deri më tash, kaq të veçantë e kaq të jashtëzakonshëm. Gjithashtu, edhe në etydin e tij, Adem Zhitopotoku i lë mbresat aktoreske: i saktë, i thellë dhe brenda idesë së karakterit të personazhit dhe të shfaqjes. Shfaqja nis dhe përfundon me Grajetin e Zhitopotokut.
Pak në frymën beketian dhe joneskiane në përshkrime të gjalla tragjikomike të neglizhencës së njerëzve (lexo: të gjeneralëve), pasojave të mungesës së vetëdijes njerëzore, “Katër epoletat” e Haqif Mulliqit e sjellin një rënkim therës për bredhjen kokëfortë në errësirën të mendjes njerëzore. Me paralajmërime, në tone dhe kuptime të fuqishme, shfaqja përfundon në mënyrë të pritur, të paktën në planin simbolik ku, e vetmja gjë e arsyeshme del të jetë vdekja e pashmangshme e gjeneralëve:
ALFADORI: Ç’po ndodhë kështu, gjeneral?!… Kush jemi ne?
BETADORI: Thënë të drejtën, nuk e di më as kush jemi, as kush ishim… As… asgjë…
… (Në këtë çast, në thellësi të skenës, nga e djathta vihet re Grajeti. Gjeneralët e shikojnë Grajetin. Pason një heshtje e frikshme.)
BETADORI: … Kush është ky?
ALFADORI: Ky?… O Zot… Do të thotë se ky qenka…
BETADORI: Po: … Është vdekja! (…)
ALFADORI: Kjo është e tmerrshme!
BETADORI: S’e di… Ndoshta.
ALFADORI: Po ku i dihet, ndoshta edhe po shpëtojmë, kështu!?
BETADORI: Po… Ndoshta… Ndoshta po e ndoshta jo…
(Ndalojnë, thuaja se përmenden për ta kuptuar se po vdesin.)
BETADORI (e shtyn Alfadorin.) Shko në të s’ëmës, mut!
ALFADORI (Edhe ky e shtyn Betadorin): Shko ti në të s’ëmës, qelbësirë…
Në fund fare
“Katër epoletat” e Haqif Mulliqit na erdhi si një tragjikomedi, e cila mbylli repertorin e sezonit të shkuar të Teatrit “Muharrem Qena” të Mitrovicës. Kjo është një vepër e ngjeshur, në të njëjtën kohë e “shkruar” me thekse moderne, zhanër të liruar dhe të shtresuar, me mjaft integritet në rrafshin e mesazhit të dallueshëm. Peizazhet semantike të të cilit janë kryesisht të lidhura me imazhin specifik gjeopolitik (dhe në disa shëmbëlltyra edhe teknologjik) të botës, në këtë shfaqje u vu re përpjekja që të bëhet zgjerimi i pamjeve më të përgjithshme të marrëdhënieve aktuale shoqërore dhe ndërlikimeve të marrëdhënieve njerëzore. Duke vepruar kështu, kjo shfaqje e Mulliqit ia del ta ruaj dhe ndoshta edhe ta forcojë linjën bazë të propozimit, të kondensuar rreth pakëndshmërisë (‘bashkëjetesës’) së dy gjeneralëve të marrë fund, tashmë, që vërtet vijnë nga i njëjti mile, por që janë “kulturalisht” dhe vizualisht plotësisht të ndarë. E vetmja gjë që bashkon ata janë përjashtimi i tyre i pakapërcyeshëm nga mjedisi në të cilin u gjendën, e rrjedhimisht edhe vendi statusor që ata zënë në të.
Sigurisht, përveç regjisë virtuoze dhe tekstit të jashtëzakonshëm të Haqif Mulliqit, gjatë kohë do të mbahet mend loja e jashtëzakonshme e aktorëve: Ismet Azemi, Basri Lushtaku dhe Adem Zhitopotoku dhe muzika e saktë e Haki Mulliqit dhe dritat e Murat Kajtazit – Lekës. Por, mbi të gjitha nuk do të harrohet mesazhi i përgjithshëm i shfaqjes se: paqja nuk ka alternativë!