Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep, ka deklaruar se Paneli përgjegjës do të vendosë për kërkesën që Kadri Veseli të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të nënës së tij që vdiq sot në mëngjes. Ajo s’tregoi nëse një kërkesë e tillë nga ish-kryetari i PDK-së është bërë tek ky panel.
Griep ka thënë se Specialja u lejon personave që janë në paraburgim të bëjnë kërkesa për raste të tilla.
“Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u lejon personave të ndaluar që të bëjnë kërkesa te paneli përgjegjës, kur ka bazë bindëse humanitare. Paneli do të vendosë për këto kërkesa”, tha Griep.
Zëdhënësja e Speciales nuk dha detaje shtesë nëse Kadri Veseli ka bërë kërkesën për të marrë pjesë në varrim.
“Të gjitha dokumentet publike, përfshirë dokumentet e dorëzuara nga Mbrojtja dhe vendimet nga gjykatësit, janë të publikuara në uebfaqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës”, tha ajo kur u pyet nga Gazeta Express nëse Veseli ka bërë kërkesë tek Paneli përgjegjës.
Sot ka vdekur në moshën 93-vjeçare, nëna e ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, Ajshe Veseli.Ajo do të varroset sot në fshatin Broboniq të Mitrovicës.