“Au- Dela DES RAILS” – “Përtej binarëve”, është romani i 3-të, që këto ditë doli nga shtypi, nga Shtëpia botuese, “Les éditions Saint-Honoré”, për lexuesin françes – shkruan InLajmi.
Ky roman, vjen pas botimit të 2 romaneve në gjuhën frëngjishte, të përkthyer nga Mustafë Jashari; “Vdekja e Anilës” dhe “Misioni Rus”, të shkrimtarit Ibrahim Kadriu, nga dy botues me nam në Francë. “Les éditions Saint-Honoré”, që ka për synime të mbështesë autorët në projektet e tyre, është prapa publikimit të romanit “La Mort d’Anila”, (“Vdekja e Anilës”). Ndërsa, Shtëpia botuese “Éditions Baudelaire”, e themeluar para 14 vitesh, me objektivin që t’u ofrojë shkrimtarëve mundësinë e ndikimit kombëtar, por edhe ndërkombëtar, është botuese e romanit “Mission russe”.
Romani i 3-të i përkthyer në gjuhën frëngjishte, “Au-Dela DES RAILS”, (“Përtej binarëve”), që është përkthyer edhe në gjuhën arabe, ku edhe pati jehonë të madhe, ka të bëjë me islamizmin ekstrem në mesin tonë i cili ka evoluar deri te ISIS-i. Në epiqendër të romanit “Përtej Binarëve”, është fati i femrës shqiptare, veçmas të Dijes, viktimë e naivitetit të babait Agon Stresi, i infiltruar në frymën e ISIS-it. Ai Dijen, nxënëse në gjimnaz, ia kishte premtuar shokut të tij ekstremist, Kasan bin Kuraju!… Ngjarja përfshihet nga ambienti i Prishtinës e deri në Siri. Në këtë roman, autori me mjeshtëri ekspozon fenomenin e bastardizmit islam dhe këmbënguljen e atyre po që përpiqen të ndryshojnë mënyrën tradicionale të faljes, por edhe pamjen fizike të të rinjve duke i detyruar të mbajnë shallin. Aty përvijohen temat familjare dhe të pozitës inferiore të gruas, nga përditshmëria e njerëzve të rëndomtë të kapur nga sfidat e brendshme të tyre, si rrjedhojë e problemeve etike e sociale. Situata ndërlikohet kur Agon Stresi, rastësisht në një kafene e sheh të bijën Dijen, në përqafim të dashnorit e saj Jon Verori, student i Dizajnit, ai e nxjerr revolen e qëllon dhe e plagos Jonin në krahëror. Derisa ishte i nxehtë, Joni arrinë t’ia kap dorën Agonit dhe ta kthej tytën dhe pasi e tërheq këmbëzën e plagos Agonin në këmbë. Pas kësaj ngjarjeje në banesën e Agonit, policia gjeti armë pa leje, pasaporta false, emra të ekstremistëve radikalë që luftonin në Siri!… Në romanin “Përtej binarëve”, Ibrahim Kadriu me një mjeshtëri thurr situata mjaftë intriguese, që ndërlikohen nga rrjedha e mëtejme e ngjarjeve, e që më pas bëhet e vështirë të dalësh nga kjo spirale!…
Sipas autorit Ibrahim Kadriu, përkthimi dhe botimi i këtyre romaneve në gjuhën frënge, nga 2 Shtëpi botuese serioze dhe me renome, ka rëndësi ngase është një provë e vlerësimit të veprave në një mjedis ku kultura e leximit ka një traditë bukur të madhe.
Të theksojmë se Ibrahim Kadriu, njëri ndër shkrimtarët më eminent të letrave shqipe në gjitha trojet shqiptare, nga vitet e 60-ta është prezent në letërsi. Ai ka botuar mbi tetëdhjetë libra, poezi dhe prozë, por pjesa më e madhe e veprave të tij janë romane.
Librat dhe pjesë nga veprimtaria e Ibrahim Kadriut, janë përkthyer në dhjetra gjuhë evropiane. Poashtu është i pranishëm në mbi njëzet antologji në gjuhë të ndryshme.
Për krijimtarinë e tij letrare, Ibrahim Kadriu ka marrë Çmimin Shtetëror të Karrierës, si dhe shumë çmime.
Osman Goranci /InLajmi/