Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka shpallur non-grata një person zyrtar rust të UNMIK-ut, përcjell InLajmi.
Ajo ka thënë se veprimtaria e tij ka qenë e dëmshme dhe ka cenuar Sigurinë Kombëtare të Republikës së Kosovës.
“Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë. Përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme”, ka shkruar ajo.
Postimi i plotë i Gërvallës:
Me kërkesë të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, sot kam nxjerrë vendimin për shpalljen persona non grata të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës. Njëkohësisht kam njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi.
Institucionet e Republikës së Kosovës mbeten të vendosura në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së.

Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë. Përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme.
Qytetarët e Republikës së Kosovës i sigurojmë se institucionet do të mbeten çdo ditë vigjilente dhe të vendosura në mbrojtje të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit tonë, sa herë që të jetë e nevojshme./InLajmi/