I dyshuari për një zjarr fatal që ka ndodhur në një klinikë të shëndetit mendor në Osaka të Japonisë në fillim të këtij muaji ku mbetën të vrarë 25 persona, ka vdekur, transmeton InLajmi.
Morio Tanimoto, 61 vjeç, i dyshuar për vrasje dhe zjarr vënie, mbeti në gjendje kritike për shkak të helmimit me monoksid karboni nga zjarri i 17 dhjetorit që vrau 25 të tjerë.
Të 25 viktimat janë identifikuar, duke përfshirë drejtorin e klinikës, Kotaro Nishizawa, 49 vjeç, sipas policisë.
Gjithsej 27 persona, përfshirë Tanimoto, u dërguan në spitale pas zjarrit.
Policia do të vijojë hetimet, duke synuar kalimin e çështjes në prokurori. Megjithatë, hetimi mund të zgjatet pasi ata nuk mund të marrin më në pyetje të dyshuarin, shkruan The Mainichi.

Tanimoto ishte një pacient në klinikë. Njerëzit që e njihnin kanë thënë se ai me sa duket ka jetuar një jetë të vetmuar pas divorcit dhe vdekjes së anëtarëve të familjes dhe mund të ketë qenë vetëvrasës.
Pamjet e kamerave të sigurisë nga klinika treguan të dyshuarin duke vendosur një qese letre përpara ambientit të pritjes, thanë burimet. Më pas ai u përkul pranë çantës dhe lëvizi dorën, pas së cilës u pa zjarri duke u ngritur me shpejtësi në tavan. /InLajmi/