Kryeministri Albin Kurti i është kundërpërgjigjur kryetarit të LDK-së Lumir Abdixhiku, i cili tha se Kurti duhet ta kthejë diplomën e inxhinierit nëse “nuk e di se rryma rezervohet”, raporton InLajmi.
Kurti ka ironizuar me kreun e LDK-së duke ia uruar vitin e ri, e duke iu dëshiruar gjitha të mirat opozitës në përgjithësi.
“Kur kanë menduar për zgjedhje në prill, mos e kanë pasur fjalën për 1 prillin, ia uroj vitin e ri zotit Abdixhiku dhe opozitës në përgjithësi, ju dëshiroj të gjitha të mirat në vitin 2022″.
Tutje Kurti ka thënë se diplomën e ka në UP dhe se nuk ka asnjë lëshim ose gabim deri tani.
“Unë njëmend jam i zënë edhe me punët në subjektin tim politik dhe nganjëherë më duhet të mungoj, duket që zoti Abdixhiku është shumë më i zënë në subjektin e tij politik. Diplomën e kam në UP, nuk e kam për blerje në bursë, nuk besoj që kemi bërë asnjë lëshim ose gabim deri tani”.
Ai ka përmendur faktin se ka ardhur në qeverisje me 50% të votave.
“E di që ndodhemi nën sulme dhe akuza të shumta të opozitës, por duhet ta kuptoni që kam ardhur në qeverisje me një fitore të listës tonë me mbi 50 për qind”, ka thënë Kurti./InLajmi/