Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pavarësisht situatës tejet të rëndë me rrymën në vend, ka vazhduar t’i thur lavde Qeverisë së tij duke pretenduar se ka pasur rritje ekonomike.
Kurti së fundmi ka thënë se Kosova tashmë ka shumë më shumë të hyra nga ATK e Doganat.
“Të hyrat tatimore janë rritur në Kosovë, i kishim mbi 588 milionë të hyra tatimore nga Administrata Tatimore sivjet ndërkaq nga Doganat e Kosovës, i kemi të hyrat 1 miliardë e 320 milionë euro sivjet. Të hyrat tatimore janë për 26% më të larta se viti paraprak, 12% më të larta se sa viti 2019 dhe 28% më të larta se viti 2018. Doganat janë mbi 1/3 më të larta se viti i kaluar, për 17.5 % më të larta se viti 2019 dhe për 21% më të larta se viti 2018”,ka thënë Kurti.
Madje Kurti thotë se janë regjistruar edhe 10.000 vende të reja pune.
“Pastaj kemi regjistruar diku rreth 10.000 vende të reja pune, i kemi mbajtur 50 mbledhje si qeveri, me 458 vendime dhe gjithsej me 112 projektligje. Rritja ekonomike do të jetë dyshifrore, është interesant që 3 mujori i 2 i këtij viti kishte rritjen ekonomike 16.3% ndërkaq 3 mujori i 3 i kishte 14.5%. Eksportet janë rritur 60% krahasuar me vitin e kaluar dhe madje 90% krahasuar me vitin 2019 ndërkaq të hyrat buxhetore janë 30% më të larta, që tregon se qytetarët kur e shohin një qeveri të pakorruptuar janë më shumë të gatshëm të paguajnë taksa dhe kontribute, ndërkaq kur kanë shpresë për të ardhmen po ashtu më shumë preferojnë të shpenzojnë se sa të kursejnë”,ka thënë ai
Tutje ai ka thënë se këto janë shifra të një shteti i cili po avancon nga një bazë e ulët, mirëpo po ecën përpara dhe në kontrast me rrëfimin e pavërtetë të Serbisë se Kosova është një shtet i dështuar, përcjell Zëri i Amerikës.
“Qeveria jonë po tregon që edhe vlerat demokratike evropiane por edhe progresi shoqëror dhe ekonomik në Kosovë, jo vetëm se janë të mundura por tashmë po ngjajnë”,ka thënë Kurti.