Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra ka thënë se Kurti po tallet me qytetarët pasi ai nuk po jep përgjigje për krizën energjetike që e ka kapluar vendin tonë dhe nuk është duke ndërmarrë diçka, përcjell InLajmi.
Deliu thotë se edhe Kurti edhe ministrja Rizvanolli me deklaratat e tyre po ofendojnë qytetarët dhe pa pikë respekti.
“Kjo qasje e Kurtit dhe vartësve të tij flet se si e trajtojnë këta zyrtarë shtetërorë krizën energjetike me të cilën po përballen qytetarët. Pra, brenda zyreve të qeverisë ku diskutohet për këtë krizë, diskutohet me gjuhë ofenduese, përbuzëse e humori të zi”, ka thënë Deliu përmes një postimi në rrjetet sociale.
Ajo e fajëson Kurtin për mosinteresimin që po shfaq për hallet e qytetarëve dhe injorimin që po u bën atyre. Madje sipas Deliut, Kurti vazhdimisht po fajëson qeveritë e tjera, por nuk është duke ndërmarrë diçka.
Postimi i plotë i saj:

Tallja e Kurtit dhe e Qeverisë së tij me hallet e qytetarëve
Kryeministri Kurti po ofendon qytetarët, të cilëve duhet t’iu shërbejë, duke i’u thënë se “rryma nuk ruhet në frigorifer”.
Ministrja Rizvanolli po u thotë qytetarëve, pa pikën e respektit, kursejeni rrymën sepse “në fund të fundit, ju do të jeni që do ta paguani”.
Një tjetër zyrtar tjetër po u thotë qytetarëve se një poç elektrik “zakonisht e mbani ndezur në banjë”.
Kjo qasje e Kurtit dhe vartësve të tij flet se si e trajtojnë këta zyrtarë shtetërorë krizën energjetike me të cilën po përballen qytetarët. Pra, brenda zyreve të Qeverisë ku diskutohet për këtë krizë, diskutohet me gjuhë ofenduese, përbuzëse e humori të zi.
Sot, kryeministri Kurti nuk po u jep përgjigje qytetarëve se si do të përballohet kjo krizë?
Kurti, që fajësonte qeveritë e kaluara për çmimin e rrymës, nuk po i përgjigjet qytetarëve se çka do të bëjë që të mos shtrenjtohet energjia elektrike për 40%?
Albin Kurti, nuk po interesohet për hallet e vërteta të qytetarëve të këtij vendi. Ai po mundohet vazhdimisht t’i injorojë ato. Prandaj, nuk e gjeni për t’u ballafaquar as në debate televizive apo në tryeza, sepse as nuk dëshiron që të diskutojë për to. Edhe në ato paraqitje të rralla, për mos-reagimin e tij, ai vazhdimisht po mundohet të fajësojë të tjerët.
Kur është në Kosovë ai ankohet para qytetarëve dhe nuk ndërmerr asgjë. Kur është jashtë Kosovës, ai u flet homologëve të tij se si vendi ynë po përjeton “ringjalljen dhe rritjen e pashembullt ekonomike që nga paslufta”.
Siç duket, xhamat e xhipave të zinj, po ia pamundësojnë Kurti që ta shoh mirë realitetin. /InLajmi/