Policia e Kosovës ka mbajtur sot një punëtori për zbatimin e strategjisë së integruar ”Policia e drejtuar nga inteligjenca dhe Policia në bashkësi”, përcjell InLajmi.
Policia e Kosovës nën mbështetjen dhe përkrahjen e OSBE-së, kanë organizuar punëtorinë e fundvitit për “Zbatimin e Strategjisë së Integruar Policia e Drejtuar nga Inteligjenca dhe Policia në Bashkësi për Planin e Veprimit 2021-2025”.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte prezantimi i të arriturave për këtë vit të parapara sipas planit të veprimit, në të cilën morën pjesë stafi i lartë i Policisë së Kosovës nga niveli qendror dhe ai lokal, përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme, përfaqësues të OSBE-së, ICITAP-it, përfaqësues të projektit “NICO” (i mbështesin reformat e PK-së) dhe UNDP-së.
Përveç prezantimit të të arriturave të kësaj periudhe kohore, nga kjo punëtori synohet vazhdimi i mëtejmë i koordinimit dhe implementimit të planit të veprimit të kësaj strategjie, e cila ka për qëllim të avancojë sistemin e integruar të inteligjencës përmes qasjes së përgjithshme proaktive dhe bashkëkohore të policisë në bashkësi në 2 nivelet e organizimit të Policisë së Kosovës.
Kjo punëtori ka rezultuar me diskutime interaktive dhe vlerësime të përgjithshme në realizimin dhe plotësimin me sukses të objektivave për këtë periudhë kohore, si dhe vazhdimin e implementimit dhe zbatimit të objektivave për periudhën e viteve në vijim. /InLajmi/
