Partia Social Demokrate ka zhvilluar sot një aksion para objektit të “KEDS”, ndërsa pas kësaj para mediave është deklaruar i pari i PSD-së, Dardan Molliqaj, raporton InLajmi.
Molliqaj para mediave deklaroi se deri më sot në lidhje me aksionet e zhvilluara nuk janë pritur asnjëherë nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës.
Tutje ai tha se shteti jonë është shtet që i shërben kapitalit të koncentruar ose kapitalit të koncentruar në disa individë.
“Ne kemi bërë aksione goxha shpesh në këtë vitin e fundit që po e lëmë, por asnjëherë deri më sot Njësia Speciale nuk na ka pritur. Ka ardhur Njësia Speciale pasi e kemi përfunduar aksionin. Veç me qenë Njësia Speciale para protestës aty është hera e parë. Çka do të thotë kjo?. Kjo do të thotë se ne mund ta sulmojmë Qeverinë e Kosovës, mund të ketë çfarëdo dëmi material e të tjera, por vetëm një vend është i ruajtur e ky është kapitali i koncentruar privat. Kjo tregon që shteti jonë është shtet që i shërben kapitalit të koncentruar ose kapitalit të koncentruar në disa individë”, ka thënë ai./InLajmi/