Pas homazhit që i bëri tek varri, një delegacion, ku ishte prezent edhe i biri i tij Prof. Arsim Fehmiu, në ambientet e SHKA “Agimi” në Prizren, që ishte edhe organizatore, u përkujtua patrioti i shquar, njëri ndër mësuesit e gjeneratës së parë në Kosovë dhe luftëtari i madh i arsimit në gjuhën shqipe, Ibrahim Fehmiu, (1892- 1951), i cili bëri histori në emancipimin dhe prosperitetin e kombit shqiptar – shkruan InLajmi
Para një numri të madh të qytetarëve prizrenas dhe mysafirëve të tjerë, kumtesën për jetën dhe veprën e Ibrahim Fehmiut, e lexoi Prof. Ragip Ballata nga Gjakova, i cili mes tjerash, tha: “Para 70 vjetëve, përkatësisht me 18 dhjetor të vitit 1951, ndërroi jetë atdhetari i paepur dhe arsimtari i devotshëm i shkollës shqipe, Ibrahim Fehmiu. Ai lindi në Gjakovë më 25 nëntor 1892, ku mësimet fillestare i kreu në mejtepin e Xhamisë së Gërçarëve, për t’i vazhduar pastaj në mejtepin e “Halil Efendisë”. Me që rrjedhte nga një familje tregtarësh, të etur për shkrim e lexim, Shkollën për mësues e kreu më 1912, në degën e Normales turke të Shkupit. Dhe, pas përfundimit të shkollës, kthehet në vendlindje me ç’rast nëntori i vitit 1912 shtëpia e tij si dhe Xhamia e Gërçarit, u bënë “mësojtore-shkolla”, ku i ndjeri Ibrahim Fehmiu, mësheftas i mësonte të rinjtë shkrim leximin shqip. Për këtë aktivitet, në vitin 1913 burgoset nga pushtuesi malazias dhe dënohet me vdekje. Mirëpo, populli arsimdashës dhe atdhetarisht i orientuar, ndërhynë me anë të përfaqësuesve të vet tek autoritetet e pushtuesit malazias dhe kjo bënë që mësuesi shqiptar të lirohet nga dënimi dhe burgimi. Në vitin 1915, me angazhimin e përkushtuar të tij dhe me ndihmën e pakursyer të Bajram Currit, në Gjakovë, u hap shkolla e parë në gjuhën shqipe me emrin e heroit tonë të lavdishëm “Skenderbeg”. Ibrahim Fehmiu ishte përkrahës dhe pjesëmarrës më i ri në punimet e Kongresit të Manastirit me 1908, pastaj pjesmarrës në Kongresin Arsimor, në Tiranë në gusht të vitit 1924. Pas themelimit të Mbretërisë dhe shpalljes së Ahmet Zogut – Mbret i Shqiptarëve, Ibrahim Fehmiu detyrohet të kthehet në Kosovë, e cila tashmë ishte nën sundimin jugosllav. U vendos në Gjakovë, por pa kaluar shumë kohë, e arrestuan xhandarët serbë, dhe me procedurë të shkurtër e dënuan dhe e dërguan në vuajtje dënimi në burgun e Valevës (Serbi) prej vitit 1929/1931, kurse pas vuajtjes së dënimit atë e dërguan në internim në Sarajevë, ku qëndroi deri në vitin 1939. Gjatë këtij viti Ibrahim Fehmiu së bashku me familjen e tij vendoset në Shkodër dhe atje qëndroi deri në fillim të vitit 1941. Duke qenë i vetëdijshëm për mungesën e theksuar të kuadrit arsimor në shkollat shqipe që pritej të hapeshin, së bashku me një grup mësduesish, kthehet në Kosovë në prill të vitit 1941. Në Prizren menjëherë vë kontakt me mësuesit prizrenas dhe fillon të japë kontributin e çmueshëm në përgatitjet dhe strukturimin e organeve arsimore. Pas vitit 1945, kur komunistët morën pushtetin, lbrahim Fehmiu bashkë me disa mësues të tjerë trajtohej si armik i popullit. Më 17 maj 1948, pa pasur asnjë provë të qëndrueshme, por vetëm mbështetur në aktakuzën false, Ibrahim Fehmiu u dënua me 3 vjet burgim. Së pari e dërguan në burgun e Nishit, e më pas në kampin e përqendrimit në “Sibino Naselje”, dhe në Stara Gradishkë të Kroacisë. Për shkak të përkeqësimit të shëndetit të tij, një kohë e mbajtën nën vëzhgim të rreptë në Beograd. Në fund të vitit 1950, Ibrahim Fehrniu kthehet në Prizrenin e tij, me shëndet tërësisht të rrënuar, ku vazhdoi punën si mësues në shkollën fillore që dikur quhej “Bajram Curri”. Por, më 18 dhjetor 1951, pas një përkeqësimi të shëndetit, pushoi së rrahuri zemra e madhe e rilindësit të fundit dhe e intelektualit të rrallë kombëtar, lbrahim Fehmiu” – përfundoi kumtesën e tij prof. Ragip Ballata.
Nga kujtimert e Dr. Orhan Kubati dhe ing. Petrit Nushi, ish nxënës të Gjimnazit të asaj kohe, mësohet se me gjithë masat e rrepta policore, në varrimin e Ibrahim Fehmiut (19 dhjetor 1951), me arkivolin e mbuluar me flamur kombëtar, morën pjesë mijëra qytetarë, jo vetëm nga Prizreni e Gjakova, por edhe nga të gjitha viset e tjera të Kosovës.
Ibrahim-FehmiuNdërkaq Haki Gajraku, drejtori i SHFMU “Ibrahim Fehmiu” në lagjen Arbanë, foli për nismën e emërtimit të kësaj shkolle me emrin e Ibrahim Fehmiut. Pjesë e këtij përkujtimi ishin edhe këngët e interpretuara nga Prof. Rami Ymeri dhe vargjet e interpretuar nga aktori Nimon Muqaj. Në emër të familjes Fehmiu të pranishmit i përshëndeti i biri i tij, Arsim Fehmiu.

Në fund të shtojmë se: “Për veprimtarinë e tij të begatë dhe merita në luftë për të drejtat kombëtare e drejtësi sociale, si dhe për kontributin e dhënë në hapjen e shkollave shqipe në Kosovë në periudhën 1941-1944, Presidenti i Republikës së Shqipërisë e dekoron Ibrahim Fehmiun me Urdhrin “NAIM FRASHËRI TË KLASIT I”, Dekreti nr. 811, dt. 11. IV.1994.
Osman GORANCI/InLajmi/