Tottenhami e ka ndalur Liverpoolin me një barazim 2:2, duke ia ndërprerë serinë prej 6 fitoreve radhazi në Premierë Ligë, në një derbi të mrekullishëm i cili i pati edhe disa raste tejet kontroverse në referim.
Diogo Jota dhe Andy Robertson shënuan nga një herë për ta përmbysur rezultatin pasi Harry Kane e kishte kaluar Tottenhamin në epërsi herët në ndeshje, por Son Heung-Min e shpëtoi skuadrën e Antonio Contes nga humbja në Tottenham Hotspur Stadium falë një gabimi trashanik nga portieri Alisson Becker.
Skuadra e Jurgen Kloppit luajti më shumë se 10 minuta me një lojtar më pak, pasi Robertson u përjashtua me karton të kuq për një ndërhyrje jo sportive ndaj Emerson Royal pasi incidenti u rishikua në VAR.
Por Liverpooli u ankua pse Kane nuk u përjashtua me karton të kuq dhe ndërhyrje e tij ndaj Robertson herët në pjesën e parë nuk u rishikua fare në VAR, pavarësisht se u duk të ishte shumë e ashpër dhe e rrezikshme.
Si pasojë e këtij barazimi, që është ndeshja e parë në 7 të fundit që Liverpooli lëshon pikë, skuadra e Jurgen Kloppit tani ngel 3 pikë mbrapa liderit Manchester City në garë për titull por e rrit në 3 pikë epërsinë ndaj Chelseat që është i 3-të, transmeton Gazeta Express.
Tottenhami, i cili luajti për herë të parë pas 2 javëve pushimi të detyruar si pasojë e rasteve të shumta me Covid-19 në skuadër, tani mbledh 26 pikë në vendin e 7, 6 pikë larg top katërshes, por 3 ndeshje më pak të zhvilluara se rivalët.