Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, kanë mbajtur sot një takim, derisa ndër të tjera kanë diskutuar lidhur me bashkëpunimin e ndërsjellë si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, përcjell InLajmi.
Kryeministri Kurti tha se ai mbetet i përkushtuar në fuqizimin e të drejtave të punëtorëve dhe respektimit të plotë të Ligjit të Punës nëpërmjet rritjes së kapaciteteve inspektuese.
Kurti tha se qeveria është partneri kryesor social për mbrojtjen, realizimin dhe avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së punëtoreve.
Në takim u bisedua edhe për Ligjin e Pagave dhe pagën minimale.
Sipas Kurtit qëllimi primar do të jetë krijimi i transparencës dhe barazisë në sektorin publik, për dallim nga ai paraprak, që është shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, që përveç se ishte ligj i dobët ishte edhe i dëmshëm duke qenë se ishte diskriminues dhe krijonte pabarazi.

“Ne tani po punojmë intenzivisht në hartimin e ligjit të ri që do të ofrojë një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të sistemit të pagave në sektorin publik. Duke e trajtuar me thellësinë dhe kujdesin e nevojshëm, e duke mos u nxituar, ne po tregojmë përgjegjësinë tonë në trajtimin e këtij ligji kaq të rëndësishëm që ka munguar për tash e 22 vjet”, u shpreh kryeministri Kurti.
Në lidhje me pagën minimale, ai tha se gjatë mandatit të tij, sikurse është zotuar para qytetarëve dhe miratuar në programin qeverisës, ajo do të ngritet në 250 euro.
Ndryshe, gjatë takimit u bisedua edhe për çështje tjera që për synim kanë ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe për formë kanë bashkëpunimin e sinqertë dhe korrekt ndërmjet Qeverisë dhe BSPK-së./InLajmi/