Pas numërimit të fletëvotimeve të ardhura nga diaspora janë bërë të ditura rezultatet e zgjedhjeve në komunën e Dragashit, këtë rezultat e ka transmetuar menjëherë ish-kryetari i kësaj komune Shaban Shabani, përcjell InLajmi.
Shabani ka thënë së i pranojnë këto rezultate duke e respektuar vendimin e shumicës së qytetareve qe kanë nxjerr fitues kundërkandidatin e tij Bexhet Xheladinin nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilin e ka uruar për ardhje në krye të komunës.
Ai ka falënderuar anëtarët, simpatizantët dhe strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës për punën e deri me tanishme në Dragash, dhe së pavarësisht shumicës janë munduar ta nxjerrin PDK parti fituese.
Postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë të komunës së Dragashit!

Dje u numëruan fletëvotimet e ardhura me postë nga ana e bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë në mërgatë dhe përfundimisht u rivendos rezultati i zgjedhjeve për kryetar të komunës.
Si të tillë, këtë rezultat e pranojmë, duke e respektuar kështu, vullnetin e shumicës së qytetarëve si themel i demokracisë, i cili nxjerr fitues kundërkandidatin tim z. Xheladini, të cilin e uroj për zgjedhjen në krye të komunës për mandatin e ri.
Pavarësisht që vullneti i shumicës së qytetarëve që kanë votuar në komunën tonë ishte i mjaftueshëm për të nxjerrë Partinë Demokratike të Kosovës si parti fituese përballë dy subjekteve të tjera opozitare, sidoqoftë, votat e diasporës qartazi janë shprehur në favor të mbështetjes së opozitës së deritanishme.
Në këtë rast, dëshiroj të falëndëroj me përultësi të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe strukturat e PDK-së – Dega në Sharr, për punën e tyre të jashtëzakonshme, e cila ka nxjerrë suksesshëm partinë tonë si subjekt fitues për 14 vite me radhë, përfshirë edhe këtë mandat, si parti e parë në kuvendin komunal.
Po ashtu, falëndëroj edhe partnerët e koalicionit për bashkëpunimin korrekt dhe të sinqertë edhe përgjatë mandatit qeverisës, por edhe në këtë proces zgjedhor.
Jam krenar me Partinë Demokratike të Kosovës për mbështetjen e pakursyer për kandidaturën time, si dhe për qasjen institucionale dhe demokratike që kemi ndjekur përgjatë këtij procesi zgjedhor, duke përfshirë edhe procesin paraprak ankimor pranë instancave gjyqësore kompetente.
Të dashur qytetarë,
Në jetën demokratike të komunës tonë, ky as nuk ka qenë e as nuk do të jetë procesi i fundit zgjedhor. Ne jetojmë pranë njëri-tjetrit dhe bashkëndjejmë me respekt edhe sfidat dhe sukseset e njëri-tjetrit. Prandaj, le të shërbejë ky rast si moment reflektimi për të mirën tonë të përgjithshme, e asesi si pikë e dallimeve e mospajtimeve tona.
Partia Demokratike e Kosovës – Dega në Sharr, ka mbështetje të gjerë popullore, gëzon një stabilitet të fuqishëm politik dhe do të ringrihet edhe më fuqishëm përballë betejave zgjedhore e demokratike.
Do të qëndrojmë krenarë në opozitë dhe nuk do të mjaftohemi për të kritikuar eventualisht për punët dhe mospunët e ekzekutivit të ri, por duke qenë subjekt me traditë të gjatë institucionale, ne fuqishëm do të ofrojmë edhe alternativën tonë qeverisëse opozitare për ta rikthyer PDK-në në vendin e saj të merituar.
Sinqerisht, i Juaji,
Shaban Shabani /InLajmi/