“Uroj që të ketë ndryshime, sikurse në politikë, unë besoj se duhet të ketë ndryshime edhe në çdo sferë të jetës shoqërore e profesionale. Jam i bindur se edhe punëtorët shëndetësorë nuk mjaftohen që të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz kushdo qofshin ata apo kudo qofshin ata”, tha Kurti.
Kjo deklaratë e kryeminstrit Kurti ka nxitur reagime të shumta nga krerët e disa sindikatave, e përfaqësues politik në vend, shkruan InLajmi.
Kryetari i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Kulturës dhe Shkencës, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Gazetën InLajmi, tha se nuk e kanë pritur një deklaratë të tillë.
“Në takimet që kemi pasur ditë më parë me ministrat Xhelal Sveçla dhe Arbërie Nagavci si dhe shefen e Grupit Parlamentarë të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, neve na u dha një fije shpresë se do të bëhet një zgjidhje për Ligjin e Pagave. Por momentin që e dëgjuam këtë deklaratë nga kryeminstri Kurti, atëherë si duket ranë poshtë ato që i biseduam”, tha Jasharaj për Gazetën InLajmi.
Sipas tij, si duket Kurti nuk është i interesuar për dialog.
“Kurti duhet ta dijë se as ai e askush tjetër nuk duhet të përzihet tek sindikatat. Për këtë vendos antarësia e sindikatës tonë. Nuk është e drejtë e tij, është e ndaluar me ligj të përzihet. Urojmë që Kurti ta ketë thënë këtë në një moment të caktuar pa pasur qëllime të përzihet në sindikata. Presim që ta tërheq këtë deklaratë”, tha Jasharaj, derisa paralajmëroi se nëse vazhdojnë të mos kenë mbështetje nga Qeveria për Ligjin e Pagave, atëherë do të ndërmarrin masa radikale, protesta e greva në arsim. Madje këto do të mund të ndodhin para fundit të marsit.
E Mursel Zymberi, kryetar i Sindikatës së Shërbyesve Civilë, në një prononcim për Gazetën InLajmi, tha se deklarata e Kurtit, është njëra nga deklaratat më skandaloze që ka dëgjuar.
“Njëra nga deklaratat më skandaloze që ka bë i vetmi kryeministër që nga pas lufta. Ai e din shumë mirë se veprimi sindikal është i rregulluar me Ligjin mbi organizimin sindikal të grevave. Momentin që ai e ka bërë një deklaratë të tillë ka bërë shkelje ligjore sepse është ndërhyrje drejtpërdrejt në punën e sindikatave të cilat mandatohen nga antarësia dhe i japin përgjegjësi vetëm antarësisë dhe askujt tjetër. Derisa ka qenë në opozitë Kurti ka qenë mbështetja e sindikatave por jo edhe tash, po e theksojë se prej se ka ardhur në pushtet s’na ka takuar asnjëherë”, tha Zymberi për InLajmin.
Deklaratës së Kurtit i është përgjigjur edhe kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“Shoku Kurti sikur e ka tepru me kërcënime dhe shantazhe ndaj emrit Dr. Blerim Syla, por po ju rikujtoj: “Koha e diktatorëve ka kaluar “dhe çdo tendencë e jotja do të dështoj. Liderët sindikal zgjedhen nga puntorët shëndetësorë e jo nga politika. Albin Kurti shihemi në greva të ligjshme apo jo, e vendos punëtori ndërsa ti dhe qeveria jote e keni shkel ligjin anti-Covid duke i zbritur shtesat nga 300 në 60 euro, e që besa dhe duke i vjedhur ato për 2 muaj”, ka njoftuar Syla.
Deklaratat e Kurtit për ndërrimin e krerëve të sindikatave, i ka quajtur skandaloze edhe profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Milazim Krasniqi në një prononcim për Gazetën InLajmi.
“Aktivizmi i sindikatave është plotësisht legjitim në përpjekje për të përmisuar kushtet e punës prandaj deklarata e Kurtit me të vërtetë ishte skandaloze. Nuk mund të shprehësh dëshira për ndryshimin e liderëve sindikalë por duhet të punohet për ndryshimin e gjendjes sociale të puntorëve”, ka thënë Krasniqi.
Tutje, Krasniqi tha se Kurti dëshiron ta politizoj dhe me e vu nën kontroll gjithçka.
“Prirje e gabueshme e tij dhe kujtdo që në demokraci përpiqet të luajë një lider të pushtetshëm sepse në fund të fundit në demokraci pushtetet janë të ndara dhe nuk mundet kryeminstri me qenë instancë gjyqësore”, tha Krasniqi.
E analisti politik Nexhmedin Spahiu lidhur me këtë çështje për Gazetën InLajmi tha se sindikatat janë politizuar qysh më herët.
“Sindikatat janë të politizume qysh më herët, prej njerëzve të PDK-së që janë në krye të sindikatave. Ata janë aty prej që PDK ka ardhur në pushtet dhe aty kanë ngelur”, tha Spahiu, derisa lidhur me masat sindikale që mund t’i ndërmarrin sindikatat ai tha se është e natyrshme.
Në anën tjetër, avokati Arbër Jashari në një prononcim për Gazetën InLajmi ka deklaruar se e drejta e organizimit sindikal, është e drejtë kushtetuese.
“E drejta e organizimit sindikal, është e drejtë kushtetuese, e cila garantohet me nenin 44 të aktit më të lartë juridik të shtetit. Ndërsa vet sindikatat, janë organizata të pavarura, që krijohen si bashkim vullnetar i të të punësuarve, qëllimi i të cilave është përfaqësimi dhe mbrojtja e të drejtave ligjore dhe interesave ekonomike, sociale dhe profesionale të anëtarëve të tyre”, tha Jashari.
Tutje, Jashari thotë se mënyra e operimit dhe veprimit Sindikatave në Kosovë është e rregulluar me ligj.
“Sindikatat në pajtim me ligjin zgjedhin vet dhe larg çdo ndikimi qeveritarë ose dikujt tjetër, se kush do t’i udhëheq. Kryeministrit nuk i takon të përzihet në punën e tyre. Ai e ka për obligim të flas, dialogoj dhe negocioj, për kushtet e të punësuarve, me të gjithë ata përfaqësues sindikal, që kanë legjitimitet brenda organizatave të tyre”, sqaroi Jashari për InLajmin.
Lidhur me deklaratën e Kurtit së fundmi ka reaguar edhe Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së.
“Të ndalet menjëherë presioni ndaj sindikatave. Siç ndodh rëndom në pushtetet me tendenca totalitare, deklaratat e kryeministrit dhe ministrave shndërrohen në urdhëra policor. Kurti e Murati sulmuan para ca ditësh sindikatat në media, inspektorët dje u hynë nëpër zyra. Kurti që braktisi idetë e barazisë, të drejtave të puntorëve dhe mirëqenies sociale, sot armikun e sheh bash tek sindikatat”, tha Molliqaj. Lindita Fejzullahu /InLajmi/