Në Kazermën “Minatori” të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Mitrovicë, nga rreth 400 ushtarë sa janë gjithsej, 37 prej tyre janë gra.
Në mesin e tyre është edhe 22-vjeçarja nga Skenderaj, Lirijona Bajraktari.
Ajo veshi uniformën në vitin 2019, kur edhe filloi transformimi i misionit të FSK-së nga civil në ushtarak.
“Mbajtja e armës është një përgjegjësi e madhe dhe, pavarësisht që jam e re në FSK, [kjo] është bërë një pjesë e jona edhe e aktiviteteve tona ditore që i kemi. Sigurisht që është ngarkesë, për shkak se shumë shpesh kemi trajnime që kërkojnë përgatitje të lartë, qoftë fizike, qoftë psikike, taktike… Edhe kemi marshime me pesha të rënda, kemi javë të tëra në terren”, rrëfen ajo.
Lirijona lindi më 1999 – në vitin kur përfundoi lufta e fundit në Kosovë.
Thotë se rrëfimet e prindërve për këtë pjesë të historisë, e frymëzuan që një ditë të betohet se do të shërbejë për popullin dhe Republikën e Kosovës.

“Si inspirim për t’u bërë ushtare, ka qenë historia të cilën e kemi kaluar… Në një mënyrë apo tjetër, çdonjëri nga ne është prekur nga historia e fundit. Kështu që kam menduar se ndoshta mënyra më e mirë për t’i shërbyer vendit, është pikërisht duke qenë pjesëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thotë ajo.
Lirijona, ushtarja e re e FSK-së, thotë se ka shumë paragjykime nëse gratë janë të afta për të qenë pjesëtare të ushtrisë.
“Mendoj se FSK-ja ka dhënë shumë shembuj të pjesëtareve të saj që i kanë sfiduar këto paragjykime. Kam qenë shumë me fat që kam pasur përkrahjen dhe mbështetjen maksimale nga familja ime”, thotë ajo.
Përpjekjet për të rritur përqindjen e grave në FSK
Nga rreth 2,500 sa është numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të FSK-së, rreth 300 – apo 11 për qind – janë gra. Prej tyre, me grada kolonele, nënkolonele, majore e të tjera.
Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Sefer Isufi thotë për Radion Evropa e Lirë se kushtet për pranim në FSK nuk lidhen me gjininë, ndonëse thekson se janë bërë disa fushata për të rritur interesimin dhe aplikimin e grave.