3 personat që u prangosën mbrëmë lidhur me vrasjen e trefishtë që kishte ndodhur më 26 nëntor në Gllogjan të Deçanit do të dalin sot para gjykatës.
Kështu ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti. Ajo tha se seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit do të mbahet sot në orën 16:00.
“Sot në ora 16:00 është caktuar seanca dëgjimore për caktim të paraburgimit”, tha Zhuti për Gazetën Express
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, mbrëmë vetëm ka konfirmuar arrestimin e tre personave, por nuk ua ka dhënë mundësinë gazetarëve që të pyesin mbi dyshimet për motivin e vrasjes së shoferit të autobusit Gani Gjokaj dhe 2 nxënësve Ledion Hamzaj dhe Genta Mustafaj, duke thënë se “për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të marrin pyetje”.
“Pas ndodhjes së rastit kemi filluar hetimet intensive me ndihmën e Prokurorisë së Shtetit. Pas punës intensive janë arrestuar 3 persona me dyshimin se kishin kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Prokuroria i ka ndaluar për 48 orë”,u shpreh Kurmehaj.