Kryetari i deritanishëm i Gjilanit, Lutfi Haziri, në një ceremoni të organizuar, i ka dorëzuar sot zyrtarisht detyrën kryetarit të ri, Alban Hyseni, raporton InLajmi.
Gjatë adresimit në një konferencë të përbashkët për media, Haziri i ka uruar shëndet e suksese Hysenit në detyrën e kryetarit.
“Jam i lumtur që pas një shërbimi për më shumë se 13 vite si kryetar i Gjilanit në kohë të ndryshme, sot po e përfundoj mandatin e 2 të rregullt dhe po e dorëzoj tek kryetari i zgjedhur, Alban Hyseni, i cili do të jetë kryetar i të gjithëve, duke përfshirë edhe kryetar i imi. I uroj shëndet dhe, mbi të gjitha, lutem që ta përcjell suksesi. Një angazhim i tij në lidership në Gjilan nënkupton ecje përpara në zhvillim e prosperim, jo stagnim”,, ka thënë Haziri.
Ndërkaq, kryetari i sapo zgjedhur i Gjilanit, Alban Hyseni, e ka falënderuar Hazirin për organizimin e ceremonisë së dorëzim-pranimit të detyrës.
“Unë sapo e kam pranuar detyrën e kryetarit të Gjilanit. Për mua është nder dhe kënaqësi të veçantë që pranimin dhe dorëzimin e detyrës e kemi bërë bashkë me kryetarin aktual të Komunës, të cilit i urojmë, po ashtu, shëndet e shumë suksese në rrugëtimin e tij vazhdueshëm në politikë. Haziri është njëra prej figurave e cila është identifikuar Gjilani e Anamorava si lider i politikanëve, ndërkaq tash edhe për shkak të nevojës dhe për shkak të kohës është momenti që të sjellim një politikë të re e një frymë të re, një lloj lidershipi të ri në Gjilan”, ka thënë kryetari Hyseni. /InLajmi/