Profesori universitar, Blerim Latifi ka thënë se ndjehet i thyer pas fjalëve të ministrit Elbert Krasniqi, ku ka treguar historinë se si disa romë nuk janë shërbyer në një lokal në Gjakovë, përcjell InLajmi.
Latifi ka thënë se ndjehër i thyer sepse nuk e shmang frikën se mos ka përvetësuar diçka të errët nga përsektuesit tanë të djeshëm.
Tutje ai ka thënë se sa herë dëgjon raste të tilla i kujtohet poezia “Testament” e poetit të ndjerë rom, Kujtim Paçakut, poezi kjo e cila nuk përfshihet në tekste shkollore.
Postimi i plotë i tij:
Në vitin 1913 Vladan Gjorgjeviq, ish kryeministër i Serbisë, boton librin “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha”. Libri u adresohej publikut intelektual dhe kancelarive europiane. Qëllimi ishte që ato të bindeshin se shqiptarët nuk e meritonin të kishin shtetin e tyre kombëtar. “Faktet” që sillte për këtë ishin thjesht një katalog i racizmit të pastër antishqiptar. Aty ne quheshim njerëz barbarë, pa histori, me mendësi orientale, të paftë për zhvillim, civilizim e vetëqeverisje. Dhe, duke mos u ngopur me këto cilësime raciste, Gjorgjeviq u shkruan europianëve se “shqiptarët edhe biologjikisht janë të prapambetur, sepse shumë prej tyre janë njerëz me bisht”.
Për gati 100 vjet ne e kemi paguar shtrenjtë këtë racizëm të serbëve për ne. Me gjakun tonë. Me mijëra e mijëra fëmijë të mbetur jetimë e gra të përdhunuara.Me vuajtjet dhe dhimbjet e tona të panumërta.
Prandaj, kur dëgjoj se si sot shqiptarë të Kosovës bëjnë veprime e sjellje raciste ndaj romëve, siç ndodhi dy ditë më parë në Gjakovë duke i përzënë nga lokali vetëm pse ishin romë, ndihem moralisht i thyer. I thyer, sepse nuk e shmangi dot frikën se mos kemi përvetësuar diçka të errët nga përsektuesit tanë të djeshëm. Dhe sa herë dëgjoj për raste të tilla, si ky i fundit në Gjakovë, më kujtohet poezia “Testament” e poetit të ndjerë rom, Kujtim Paçakut, njëri ndër poetët më të mirë të Kosovës, por që injorohet e nuk përfshihet kurrë në tekstet tona shkollore, për të vetmen arsye se është rom. Ja poezia:
Testament
Kur të vie ajo ditë
E fundit, në tepihun e jetës sime
Ju lus:
Së paku atje të qëndroj
VERTIKALISHT
Meqë gjithë jetën
S`më lanë se s`më lanë të ngrihem në këmbë! /InLajmi/