Është paraparë të hënë nga ora 11:00 të mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, por e cila dështoi pasi që nuk pati kuorum, raporton InLajmi.
Në këtë mbledhje munguan një anëtar nga Lista Serbe, një nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe një nga Partia Demokratike e Kosovës.
Pas kësaj kryeparlamentari Glauk Konjufca ka caktuar sërisht seancë plenare, që sipas tij do të mbahet ditën e enjte duke filluar nga ora 10:00.
Mimoza Kusari-Lila, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka treguar se cila do të jenë pika më e rëndësishme e seancës.
“Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit prapë nuk ka pasur kuorum, përfaqësuesi i Listës Serbe dhe dy përfaqësues të partive opozitare LDK-së dhe PDK-së nuk ishin aty. Anëtari i sapozgjedhur i PDK-së kishte paralajmëruar mosardhjen derisa nuk kemi pasur përgjigje nga anëtari i LDK-së. Sidoqoftë sot Kryetari i Kuvendit komfor të drejtës së tij sipas Kushtetutës caktoi seancën plenare të radhës të Kuvendit me 25 nëntor duke filluar nga ora 10:00”.
“Pika më me rëndësi dhe më me peshë është ajo e shqyrtimit të Projektbuxhetit për vitin 2022 e cila pritet të jetë në trajtim në seancën e radhës” tha Kusari-Lila. /InLajmi/