Filmi vendor “Zgjoi” ishte fitues i dyfishtë në festivalin “Seminci” në Spanjë.
Filmi i regjisores Blerta Basholli po ashtu mori çmimin “Fundos”, në Festivalin Ndërkombëtar të Valladolidit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një statusi në Twitter, ka uruar për këtë sukses të jashtëzakonshëm aktoren Yllka Gashi, të cilën e quajti një superyll ndërkombëtar.
“Kjo grua e jashtëzakonshme është shndërruar nga një aktore në ekranet tona televizive të Kosovës në një superyll ndërkombëtar. Yllka, jemi shumë krenarë me ty! Performanca juaj në #Hive solli në jetë luftën e grave të Krushës – vërtetë e merituar!”, ka shkruar Osmani në statusin e saj.
Gjatë pranimit të çmimit si aktorja më e mirë, Gashi tha se ka qenë nderi i jetës së saj të luaj këtë rol dhe të nderojë Fahrijen.
“Është një histori e veçantë, specifike, e që ndodh në Kosovë, por është gjithashtu një histori universale që frymëzon këdo në botë. Sepse tregon historinë e dikujt që vuan, por që i duhet të kalojë këtë situatë e të arrijë qëllimet e veta. Është një histori e vërtetë dhe më pëlqen që në filma mund të shohësh edhe gra të forta, jo vetëm viktima. Pra të shohësh gra që janë të afta të marrin në dorë fatin e tyre. Ka qenë nderi i jetës sime të luaj këtë rol dhe të nderoj Fahrijen”, është shprehur aktorja e njohur.