Kryesuesja e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Agreta Gecaj- Gashi, anëtarët e bordit dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, vizituan Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë, për të parë nga afër punën dhe për të dëgjuar shqetësimet e punëtorëve shëndetësorë, derisa i falënderuan ata për angazhimin dhe menaxhimin me sukses të Pandemisë COVID-19, përcjell InLajmi.
Në njoftimin e SHSKUK-së, thuhet se, ata i inkurajuan të vazhdojnë të punojnë me përkushtim dhe përgjegjësi, iu premtuan kushte më të mira pune, kurse drejtuesve të spitaleve, iu garantuan mbështetje të pa rezervë në implementimin e projekteve për modernizimin e hapësirave spitalore.
Kryesuesja Gecaj- Gashi dhe drejtori Krasniqi, i siguruan se, pa dallim, në mënyrë të barabartë, do të ndahen mjete financiare për të gjitha spitalet e përgjithshme, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe përmbushjës së nevojave tjera imediate.
Ndërkaq, u njoftuan se në Spitalin e Vushtrrisë ka përfunduar zgjerimi i rrjetit të oksigjenit, në të cilin do të mund të lidhen të gjithë shtreterit, ndërsa në atë të Mitrovicës do të fillojë së shpejti.
Të 2 spitalet, muaj më parë, janë pajisur me rezervuar të oksigjenit, të cilët kanë kapacitet të mjaftueshëm për të ofruar furnizim të qëndrueshëm me oksigjen.
Drejtuesit e SHSKUK-së vizituan edhe Qendrën e Shëndetit Mendor në Mitrovicë./InLajmi/