Profesori i Shkencave Politike në Paris, Nezir Kraki, ka thënë se në ftesën e presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dërguar shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor për pjesëmarrje në Samitin e Bërdosë, askund nuk përmendet perspektiva e zgjerimit të bllokut.
Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka deklaruar se në atë letër përmendet vetëm perspektiva e stabilitetit në Ballkan, por jo edhe ajo për anëtarësimin e këtyre shteteve në BE.
“Gjithmonë kam pasur frikë se samitet Ballkan-Bashkim Evropian mos bëhen një farë rutine që nuk sjellin rezultate dhe nuk kanë objektiv të përbashkët, nuk kanë finalitet. Sot e lexova me vëmendje letrën që Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian ua ka dërguar si ftesë përfaqësuesve të vendeve të BE-së dhe të Ballkanit, në asnjë pjesë të letrës nuk përmendet Ballkani në perspektivën e zgjerimit, pra përmendet vetëm në perspektivën e stabilitetit dhe të bashkëpunimit rajonal me Evropën”.
“Nëse e marrim 20 vjeçarin e fundit ose nga Samiti i Selanikut i 2003-ës, pra samit i BE-së për Ballkanit, në të cilin u patë zyrtarizuar perspektiva evropiane në kuptimin e integrimit të vendeve të Ballkanit në BE, nga ajo datë deri sot evoluimi i diskursit të Bashkimit Evropian viza-vijë Ballkanit është fakt negativ në aspektin e integrimit, të një perspektive integruese defakto për t’u bërë vende anëtare”.
“Nga tekstet nga letrat ku përmendej tekstualisht zgjerimi si synim i BE-së dhe si stacioni i fundit i një bashkëpunimi të thellë Ballkan – Evropë, tash jemi në diskursin: Mirë që nuk ka luftë në Ballkan na intereson që të vazhdohet me paqe, që Serbia dhe Kosova t’i normalizojnë marrëdhëniet edhe nëse nuk e njohin njëra tjetrën nuk është problem, kemi edhe shtete brenda BE-së që nuk e njohin Kosovën sepse kemi gjetur zgjidhje kreative me të cilat mund të avancojmë, pra duke i futur problemet nën tepih. Kjo është tragjike, ky samit sot edhe klima politike në BE dhe e shteteve kyçe duke larguar Gjermaninë është antizgjerim, ftohje dhe lodhje”, ka thënë Kraki.