WhatsApp është gjobitur me 225 milion euro nga mbikëqyrësi i të dhënave të Irlandës për shkelje të rregullave të privatësisë, transmeton InLajmi.
Kjo është gjoba më e madhe e dhënë ndonjëherë nga Komisioni Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave, dhe e 2-ta më e larta sipas rregullave të BE-së.
Facebook, i cili zotëron Whatsapp, ka selinë e tij të BE-së, në Irlandë dhe rregullatori irlandez është autoriteti kryesor për gjigantin e teknologjisë në Evropë.
Whatsapp ka deklaruar se nuk pajtohet me vendimin dhe ashpërsinë e gjobës, duke bërë të ditur se planifikon të apelojë.
Gjoba e dhënë lidhet me një hetim i cili filloi në vitin 2018, për të parë nëse WhatsApp është mjaft transparent për mënyrën se si i trajton informacionet.
Çështjet e përfshira ishin shumë teknike, të tilla që tregojnë nëse WhatsApp siguronte informacion të mjaftueshëm për përdoruesit se si përpunoheshin të dhënat e tyre dhe nëse politikat e tij të privatësisë ishin mjaft të qarta.
Që atëherë, këto politika të WhatsApp janë përditësuar disa herë.
“WhatsApp është e angazhuar për të siguruar një shërbim të sigurt dhe privat,” është shprehur një zëdhënës i kompanisë, përcjell BBC.
Rregullat e BE-së për të dhënat, lejojnë gjoba që arrijnë deri në 4% të xhiros globale të kompanive që hetohen./InLajmi/