Ministrat e jashtëm të NATO-s u zotuan të premten të punojnë për të garantuaar evakuim të sigurt nga Afganistani të qytetarëve të tyre dhe afganëve që konsiderohen të rrezikuar pas marrjes së vendit nga talebanët, duke u përqëndruar në përmirësimin e operacioneve në aeroportin e Kabulit së pari.
Të gjendur përballë kaosit të vazhdueshëm në kryeqytet dhe rrugët e daljes, shumë nga 30 vendet aleate ngritën “nevojën për të punuar më shumë për të gjetur mënyra për të futur më shumë njerëz në aeroport, pastaj për të procesuar dokumentacionin dhe më pas nisja me aeroplanë,” tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO -s, Jens Stoltenberg.
Ai e cilësoi këtë një “sfidë shumë, shumë, shumë të madhe”.
Shumë shpesh gjatë orëve dhe ditëve të fundit, aeroplanët nga vendet e NATO-s kanë qenë në gjendje të shkojnë në Kabul, por janë detyruar të kthehen bosh ose thuajse bosh.
Belgjika, për shembull, dërgoi 2 avionë të mëdhenj C-130 në Kabul, por nga rreth 500 persona që ishin thirrur për të hipur në bord, vetëm “rreth 20 ishin me fat” për të ikur me aeroplanin e parë, tha ministrja e jashtme Sophie Ëilmes. Një aeroplan i dytë u detyrua të kthehej bosh në Pakistanin fqinj, pasi udhëtarët e caktuar nuk mund të hynin në aeroport.
“Ka kontrolle shumë të rrepta të talibanëve si dhe të amerikanëve,” tha zonja Wilmes.
Ajo bashkoi zërin me disa aleatë të tjerë për t’u bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që të sigurojnë aeroportin e Kabulit për aq kohë sa duhet, edhe nëse kjo vazhdon më gjatë se momenti i evakuimit të të gjithë shtetasve amerikanë.
Në një deklaratë të NATO -s të premten thuhej se “për sa kohë që operacionet e evakuimit vazhdojnë, ne do të ruajmë bashkëpunimin tonë të ngushtë operacional përmes mjeteve ushtarake të Aleancës” në aeroport.
Ministrja spanjolle e Mbrojtjes Margarita Robles tha se ajo tashmë kishte marrë garanci të tilla.
“Ata (Shtetet e Bashkuara) na kanë siguruar që nuk do të tërhiqen nga aeroporti derisa personi i fundit që kërkon evakuim të jetë jashtë vendit,” tha ajo për radion publike spanjolle RNE.
Zoti Stoltenberg këmbënguli gjithashtu se talebanët duhet t’i lejojnë kalim të lirë çdo afgani që dëshiron të largohet nga vendi.
Përveç sfidës së menjëhershme, ministrat e jashtëm të NATO -s këmbëngulën që talebanët duhet të japin garanci që Afganistani të mos kthehet në vatër terrorizmi, transmeton VOA.
“Ne nuk do të lejojmë që terroristët të na kërcënojnë përsëri nga Afganistani,” tha zoti Stoltenberg, duke kujtuar se angazhimi i NATO-s në këtë vend e kishte zanafillën në sulmet e 11 Shtatorit në SHBA në 2001.