Në mbledhjen e mbajtur të Qeverisë, Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, ka thënë që në 2 javët e fundit numri i rasteve ppozitiv ka rënë për 65 përqind, raporton InLajmi.
“Sipas raportit të fundit të IKSHPK-së, situata epidemiologjike me COVID-19 paraqitet e qëndrueshme, me vazhdimin e uljes së rasteve pozitive. Ulja e rasteve pozitive në dy javët e fundit krahasuar me dy javët paraprake ka shënuar një rënie për rreth 65 për qind. Në një situatë të tillë, duke iu referuar të dhënave aktuale mbi situatën epidemiologjike dhe rekomandimeve të IKSHPK, propozojmë vazhdimin e lehtësimit gradual të masave që mundësojnë një aktivitet të shtuar ekonomik por njëkohësisht kontroll të shtuar”, tha Vitia.
Vitia tha që vlerësimi i masave kufizuese do të bëhet pas 2 javësh
“Lehtësimi i masave është duke u bërë në raport me tri objektiva kryesore: parandalimin e përhapjes së infeksionit, moscenimi i aktiviteteve ekonomike por duke pasur prioritet ruajtjen e shëndetit publik dhe ruajtja e shëndetit mendor dhe fizik të qytetarëve. Masat shërbejnë që situata të mbahet në kontroll. Ndryshimi i situatës epidemiologjike kërkon vendime dhe masa të reja konform situatës së re. Vlerësimi i masave kufizuese do të bëhet pas dy javësh”, ka deklaruar ministri Vitia. /InLajmi/