Anija gjigande “Ever Given” nuk po e mban më bllokuar kanalin e Suezit, por kriza që krijoi duket larg përfundimit.
Kompanitë janë të detyruara të durojnë një betejë të zgjatur ligjore me shpresën e rikuperimit të mallrave me vlerë qindra miliona dollarë që kanë mbetur në anijen e konfiskuar prej muajsh.
IKEA dhe Lenovo janë disa nga kompanitë me produkte të bllokuara në anijen në pronësi japoneze që bllokoi Kanalin e Suezit për 6 ditë në Mars.
Firmat më të vogla si prodhuesi i biçikletave në Mbretërinë e Bashkuar Pearson 1860 gjithashtu kanë produkte të rëndësishme për biznesin e tyre, të ngecura në anije.
“Ne nuk mbajmë shumë shpresë për të parë stokun tonë këtë vit dhe megjithëse është i siguruar në tranzit, duket se ka pak shanse për të parë një zgjidhje për muaj me radhë, apo më keq, me vite“, tha drejtori i “Pearson 1860”.
Biznesi e tij ka produkte me vlerë më shumë se 100.000 dollarë në anije.
IKEA i tha CNN Business se ka një larmi produktesh në bordin e anijes, por nuk pranoi të jepte specifikime të mëtejshme në lidhje me dërgesën. Lenovo gjithashtu konfirmoi se ka ngarkesa në anije, ndërsa një zëdhënës tha se kompania “po mendon si të rikuperojë mallrat“, transmeton TopChannel.
Një gjykatë egjiptiane konfiskoi Ever Given dhe kontejnerët e saj të ngarkesave, pasi autoriteti i Kanalit të Suez paraqiti një kërkesë fillestare kompensimi prej 916 milion dollarësh kundër pronarit të anijes japoneze, Shoei Kisen Kaisha për dëmet dhe humbjet e shkaktuara kur anija u përplas në një pjesë të ngushtë të kanalit, duke shkaktuar bllokimin e trafikut.