Papa Françesku bëri thirrje të dielën për t’i dhënë fund konfliktit në Izrael dhe Gaza, duke thënë se vdekjet e kaq shumë njerëzve të pafajshëm ditët e fundit, përfshirë fëmijët, ishin të papranueshme.
“Unë apeloj për qetësi dhe ata që janë përgjegjës t’i japin fund përdorimit të armëve dhe të drejtohen në rrugën e paqes”, tha ai në një fjalim të përjavshëm për besimtarët e mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit.
“Shumë njerëz të pafajshëm kanë vdekur, mes tyre ka edhe fëmijë. Kjo është e tmerrshme. E papranueshme. Vdekja e tyre është një shenjë se njerëzit nuk duan të ndërtojnë një të ardhme, por po e shkatërrojnë atë…Pyes veten se ku mund të çojë urrejtja dhe hakmarrja?”, tha Papa.
Mjekët palestinezë thonë se numri i të vdekurve nga sulmet ajrore izraelite në Gaza të dielën ka arritur në 33. Ky është numri më i madh i viktimave që nga fillimi i luftimeve.
Më 16 maj, ushtria izraelite tha se ka kryer sulme ajrore në shtëpinë e Yahya Sinëar, kreu i krahut politik të Hamasit në Rripin e Gazës. Ushtria nuk bëri të ditur nëse ai u vra.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka thënë se fushata aktuale kundër militantëve palestinezë “do të vazhdojë për aq kohë sa nevojitet” megjithë thirrjet për qetësi nga Uashingtoni dhe Kombet e Bashkuara.
Netanyahu është zotuar se do të “vazhdojë të përgjigjet me forcë” ndaj sulmeve me raketa, derisa konflikti me palestinezët në Gaza hyri në ditën e shtatë, përcjell Rel.
Militantët palestinezë qëlluan me raketa drejt Tel Avivit, duke bërë që njerëzit atje të largoheshin në strehimore.